Shpërthen depozita e karburantit “EIDA” te “Brryli”, 3 të plagosur
Panik në zonë, shembet godina 1 katëshe pranë saj
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Brrylit në Tiranë, pranë karburantit “EIDA”, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ka ndodhur brenda ambienteve të pikës së karburantit, ndërsa dyshohet se shkak mund të ketë qenë një bombol gazi. Për shkak të forcës së shpërthimit, një godinë njëkatëshe që ndodhej pranë karburantit është shembur.
Ngjarja është shoqëruar me një zhurmë të fuqishme, e cila është ndjerë në të gjithë zonën. Banorë pranë vendit të ngjarjes kanë deklaruar se shpërthimi u përjetua si një tërmet, duke shkaktuar frikë dhe panik.
Ndërkohë, nga incidenti janë dëmtuar tre punonjës të karburantit. Ata janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje janë mobilizuar forca të shumta zjarrfikëse, ambulanca dhe shërbime të Policisë së Shtetit. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit apo rrezikun e një incidenti tjetër.
Zona përreth karburantit është përfshirë nga paniku, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe shkakun që çoi në shpërthim.
Pritet që në vijim të ketë më shumë informacion zyrtar lidhur me rrethanat e incidentit, dëmet e shkaktuara dhe gjendjen e tre punonjësve të transportuar në spital.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



