E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shpërthen Noka: Opozita nuk e njeh ‘lepurin e Surrelit’
Lajme

Shpërthen Noka: Opozita nuk e njeh ‘lepurin e Surrelit’

Deputeti demokrat, Flamur Noka, përsëriti në Kuvend qëndrimin e opozitës, e cila tërhoqi firmat nga kandidatura e Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit. Noka e cilësoi Shabanin si “lepurin e Surrelit”, duke nënvizuar se opozita nuk e njeh këtë kandidat si të mbështetur nga PD.

“Më 2 dhjetor, pasi Komisioni i Ligjeve vendosi se një deputet mund të firmosë vetëm një emër, Grupi Parlamentar ka dërguar kërkesën për tërheqjen e të gjitha firmave për çdo pretendues për kandidat. Ju doni lepurin e Surrelit, sepse ai do të bëjë avokatin e Surrelit dhe të partisë, jo Avokatin e Popullit. Është çështje e juaja, zgjidhni ju, por jo ne. Avokati do të jetë i partisë dhe i Surrelit, por nuk është Avokati i Popullit,” tha Noka.

Ai shtoi se mazhoranca po tenton të kontrollojë procesin në mënyrë arbitrare: “Edi Rama ju ka urdhëruar të rrëmbeni çdo gjë, ju nuk njihni limit; rrëmbeni para, rrëmbeni taksa, rrëmbeni njerëz dhe zhdukni.”

Kujtojmë se opozita kishte njoftuar disa ditë më parë tërheqjen nga procesi, duke akuzuar mazhorancën socialiste se po përpiqej të diktonte emrin që do të zgjidhej nga një listë me gjashtë kandidatë të mbështetur me firmat e deputetëve të opozitës, pa respektuar tërheqjen e tyre. Megjithatë, Komisioni i Ligjeve miratoi raportin për seancën plenare vetëm me votat e socialistëve.

Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota, duke kërkuar konsensus politik dhe sipas traditës parlamentare, ky pozicion propozohej nga opozita. Edhe këtë radhë, Partia Socialiste kishte premtuar publikisht se opozita do të propozojë kandidatët, por PD tërhoqi mbështetjen e firmave dhe kërkoi që procesi të kryhej me konsultim mes palëve, jo në mënyrë të rastësishme në seancë.

Emrat e miratuar nga Komisioni i Ligjeve për t’u votuar në seancën plenare janë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Skënder Haluci, Taratar Bazaj dhe Endri Shabani, të cilët kishin mbledhur mbi 28 firma deputetësh nga opozita.

Sipas kryetarit të PD-së, Sali Berisha: “Ne paraqitëm disa kandidatura, ata shtuan kandidaturat e tyre. Është Endri Shabani,” duke nënvizuar se konflikti lidhet me përzgjedhjen e këtij kandidati, i cili konsiderohet preferencë e mazhorancës, pavarësisht mbështetjes së firmave të PD-së.

Procesi ka qenë i tensionuar që nga fillimi. Mazhoranca ka rrëzuar më parë kandidatët e opozitës, ndërsa kërkesa e kryetarit socialist Niko Peleshi për konsensus ka shtyrë votimin dhe asnjë nga kandidatët e propozuar nuk ka shkuar deri tani në votim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.