Shqipëria drejt luftës civile? Demo: Pyetni ata që qakullojnë me maska
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me shqetësimin e bizneseve për dëmtimet gjatë protestave në Tiranë, ndërsa disa prej tyre po marrin masa shtesë sigurie dhe po shqyrtojnë mundësinë e angazhimit të kompanive private për mbrojtjen e ambienteve të tyre.
I pyetur nëse situata mund të çojë drejt një lufte civile, duke iu referuar edhe pasigurisë së krijuar te bizneset e vogla dhe të mëdha, Demo deklaroi se Policia e Shtetit do të marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit publik. Ai, megjithatë, e drejtoi vëmendjen edhe te personat që, sipas tij, dalin të maskuar në rrugët e kryeqytetit dhe djegin biznese.
“Shpresoj shumë që ju këtë pyetje t’ia bëni edhe atyre që qarkullojnë me maska në Tiranë dhe djegin biznese”, u shpreh ministri, duke theksuar se përgjegjësia për situatën nuk duhet t’i atribuohet protestës si e drejtë demokratike, por akteve të dhunës.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Demiraj ngriti shqetësimin se bizneset po ndihen gjithnjë e më të rrezikuara dhe se disa prej tyre po u drejtohen kompanive private të sigurisë për të mbrojtur pronën. Ajo kërkoi gjithashtu sqarime se si do të veprojë shteti në rastet kur protestuesit drejtohen drejt subjekteve private dhe nëse situata mund të përshkallëzohet më tej.
Në përgjigjen e tij, Demo garantoi se Policia e Shtetit do të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje qytetarëve të reflektojnë mbi ngjarjet e tri ditëve të fundit dhe të mbajnë qëndrim kundër akteve të dhunës.
Ministri theksoi se e drejta për të protestuar duhet të respektohet dhe se policia do të jetë e pranishme për të garantuar zhvillimin e tubimeve të studentëve që dëshirojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre.
“Unë kam qenë pedagog dhe i garantoj gjithë studentët, nëse duan të protestojnë, do ta kenë Policinë e Shtetit aty, për të garantuar që protesta e tyre të organizohet dhe të vazhdojë siç e mendojnë ata”, deklaroi Demo.
Ai bëri dallimin mes protestës paqësore dhe veprimeve që, sipas tij, synojnë dhunimin e efektivëve të policisë, institucioneve publike dhe subjekteve private. Sipas ministrit, shoqëria duhet të reagojë ndaj këtyre akteve, pa cenuar të drejtën e qytetarëve për t’u tubuar dhe për të shprehur qëndrimet e tyre.
Deklaratat e ministrit vijnë në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me tensione dhe dëmtime të pronës, ndërsa siguria e bizneseve është kthyer në një prej shqetësimeve të ngritura gjatë raportimeve nga terreni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



