E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria humbi gjyqet me bizneset, fatura nga gjykatat ndërkombëtare arrin 388 mln euro
Lajme

Shqipëria humbi gjyqet me bizneset, fatura nga gjykatat ndërkombëtare arrin 388 mln euro

Fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020, evidentoi Kontrolli i Larte i Shtetit (KLSH) në një raport për Kuvendin e Shqipërisë.

Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje në vlerën 388,479,560 euro janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje në vlerën 10,651,257 euro janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH.

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

“Zbatimi i këtyre vendimeve në Shqipëri bëhet pas njohjes së tyre nga gjykatat e apelit vendas, në  çdo rast ekziston mundësia që pala paditëse, për zbatimin e këtyre vendimeve, t’i drejtohet gjykatave të shteteve të tjera, ku shteti shqiptar disponon të drejta”, raportoi KLSH.

Nga ana e saj në raportin e mes vitit të Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me detyrimin total të akumuluar për Arbitrazhet Ndërkombëtare raportoi një vlerë prej 109.5 milionë eurosh.

Në raportin vjetor të vitit 2020, nga Ministria e Financave raportohet se vlera e paguar për arbitrazhet më 2020 ishte vetëm 33.3 milion lekë dhe nuk jepet informacion për detyrimeve për vendime në pritje të nxjerrjes së VKM-ve si detyrime kontingjente për buxhetin e shtetit.

KLSH raportoi se, nga auditimi në Aparatin e MFE rezulton se Ministria nuk ka informacion për vendimet në pritje për pagesë. Për këtë çështje, në auditimin e kryer në Avokaturën e Shtetit, sa i takon vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), rezulton se deri më 31.12.2020 janë ende të pa ekzekutuara 7 vendime në vlerën 17,956,320 Euro dhe të paktën 1,675,938 Euro kamatëvonesa  potenciale, të përllogaritura deri në datën e përfundimit të auditimit.

Gjithashtu konstatohet se për ekzekutimin e këtyre vendimeve, nuk janë zbatuar afatet 3 mujore sipas Ligjit për avokaturën e shtetit të ndryshuar./Monitor

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.