Shqipëria i mbyll derën cisternës së “flotës hije” ruse, anija u identifikua nga inteligjenca ukrainase
Autoritetet shqiptare kanë ndaluar hyrjen në Portin e Durrësit të një anije-cisternë të dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” ruse, e përdorur për transportin e produkteve të naftës dhe shmangien e sanksioneve perëndimore.
Bëhet fjalë për cisternën “Hanuman”, me flamur të Sierra Leones dhe numër IMO 9295048. Anija nuk u lejua të hynte në radën e Portit të Durrësit, pasi ishte identifikuar nga Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës, GUR, dhe shërbime partnere si pjesë e rrjetit të anijeve të lidhura me transportin e naftës ruse.
Sipas autoriteteve portuale, njoftimi për ndalimin iu komunikua kapitenit kur cisterna ndodhej rreth 12 milje larg Durrësit. Anija vijoi më pas lundrimin në Adriatik, pa hyrë në port.
Të dhënat e inteligjencës ukrainase, të përditësuara në qershor 2026, e lidhin “Hanuman” me transportin e produkteve ruse të naftës drejt vendeve të treta, në një periudhë kur ndaj eksporteve ruse janë në fuqi kufizime dhe sanksione ndërkombëtare.
Sipas këtyre të dhënave, në shtator 2025 cisterna transportoi më shumë se 30 mijë tonë produkte ruse të naftës nga Novorossiysk drejt Turqisë. Anija ka vizituar gjithashtu terminalin Sheskharis në Novorossiysk, një nga pikat e rëndësishme të eksporteve ruse të naftës.
“Flota hije” ruse përbëhet nga qindra cisterna dhe anije të tjera që operojnë shpesh nën flamuj të vendeve të treta dhe me struktura pronësie të vështira për t’u gjurmuar. Sipas vendeve perëndimore, një pjesë e tyre përdoret për të vijuar eksportet e naftës ruse dhe për të anashkaluar kufizimet e vendosura pas pushtimit të Ukrainës.
Rasti i “Hanuman” ngre gjithashtu pikëpyetje mbi lëvizjet e mëparshme të kësaj anijeje. Të dhënat e trafikut detar tregojnë se ajo kishte hyrë më herët në Portin e Durrësit, në nëntor 2025. Një investigim i publikuar në maj e kishte renditur cisternën mes anijeve të dyshuara për transport të naftës ruse ose mallrave të lidhura me territoret e pushtuara të Ukrainës.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, është rreshtuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë që prej nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022.
Ndalimi i “Hanuman” në ujërat shqiptare vjen në një kohë kur vendet europiane kanë shtuar kontrollet ndaj anijeve të dyshuara se bëjnë pjesë në “flotën hije”, e cila konsiderohet një nga mekanizmat kryesorë për vijimin e eksporteve ruse të naftës pavarësisht sanksioneve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



