Shqipëria pa gazetari investigative, por me shpresë te të huajt
Dritan Gremi
Krimi ynë, investigimi i tyre
Emisioni investigativ italian “Le Iene” transmetoi një reportazh me nuanca negative për Shqipërinë. Investigim mbi krimin e organizuar dhe mashtrimin e qytetarëve europianë përmes call center-ave Forex që veprojnë nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.
“Le Iene” nuk është një emision periferik. Ka rreth 2 milionë shikues audiencë dhe, mbi të gjitha, gëzon besueshmëri dhe ndikim jashtëzakonisht të madh në publikun italian. Për rrjedhojë, ndikimi që ky investigim do të ketë në imazhin e Shqipërisë do të jetë i madh dhe sigurisht jo pozitiv.
Dhe pikërisht për imazhin: nuk më kujtohet kur ka qenë hera e fundit që është transmetuar një kronikë televizive apo është shkruar një artikull i bukur dhe pozitiv për vendin tonë. Ka kaluar shumë kohë, dhe kjo nuk është aspak shenjë e mirë.
Duke u kthyer te “Le Iene” dhe misioni i vërtetë i gazetarisë investigative, më lind natyrshëm pyetja për median dhe gazetarinë tonë.
Nuk më vjen ndër mend asnjë emision investigativ “made in Albania”, i bërë nga një televizion shqiptar, entitet mediatik apo gazetar i yni, që të ketë realizuar një investigim serioz, e jo më të ketë çuar në pranga një grup kriminal.
A mund të më tregojë dikush një rast ku një gazetar shqiptar është infiltruar realisht për të investiguar krimin në vendin tonë, duke çuar pas hekurave kriminelë?
Përgjigjja është jo, kurrë, asnjëherë.
Fatkeqësisht, ne vazhdojmë të presim që punët e pista t’i bëjnë të tjerët për ne. Duam që patatet e nxehta mos t’i xjerrin nga zjarri vetë.
Është bërë normale që gazetarë dhe media të huaja të bëjnë punë që mediat dhe gazetarët tanë nuk duan ose nuk kanë guxim t’i bëjnë. (Sepse kanë mision dhe axhendë tjetër )
Po a ka kuptim kjo?
A ka kuptim që mediat e huaja të infiltrojnë gazetarë, duke rrezikuar jetën e tyre, për të realizuar një mision që u takon kryekëput mediave dhe gazetarëve tanë?
E mos flasim pastaj për organet tona ligjzbatuese.
Si është e mundur që informacionet më të rëndësishme kundër krimit të organizuar të na vijnë gjithmonë nga jashtë?
Si ka mundësi që nga ana jonë ka pothuajse zero investigime, ndërsa provat kryesisht na serviren të gatshme nga agjencitë e huaja partnere?
Goditjet bëhen vetëm kur na imponohen nga jashtë, ndërsa në shumicën e rasteve hetimet zvarriten dhe operacionet dekonspirohen.
A ka call center-a të tjerë në Tiranë dhe në Shqipëri që vazhdojnë të operojnë, përtej atyre që u zbuluan nga “Le Iene”?
Të gjithë e dimë përgjigjjen: po, ka plot, gjithandej.
Mos vallë duhet të presim që të vijnë me radhë të gjitha mediat e huaja – gjermane, franceze, belge e të tjera – nga çdo cep i Europës ku mashtrimet Forex bëjnë kërdinë, për të zbuluar call center-in e radhës?
Apo mos vallë i kemi vënë vetes si synim të brandohemi me “krenari” si “vendi i call center-ave” që mashtrojnë gjysmën e Europës?
A kemi prokurorë që i paguajmë?
A kemi polici shteti?
Si ka mundësi që gjithmonë presim amerikanët dhe europianët që të na “çlirojnë” nga krimi, korrupsioni dhe hallet tona?
A jemi popull apo çfarë jemi?
A kemi gjak?
A kemi turp?
A kemi sedër?
Sepse një shtet dhe një popull që pret gjithmonë të shpëtohet nga të tjerët, është i dorëzuar plotësisht, ndaj ta harrojë dhe sovranitetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



