Shqipëria ‘Porta e Drogës’ – Tre operacione të mëdha, në qarkun kohor të 24 orëve
Në qarkun kohor prej 24 orësh, janë zhvilluar tre operacione të mëdha antidrogë, ku Shqipëria shërben si vendkalim për kokainën dhe marijuanën drejt Greqisë, Italisë e më tej në kontinentin Europian.
Së pari u kapën 613 kilogramë kokainë, më pas 5 tonë marijuanë dhe së fundmi 424 kilogramë marijuanë, një sasi rekord e sekuestruar brenda 24 orëve, të cilat e pozicionojnë Shqipërinë si ‘Porta e drogës në Europë’.
DURRËS- 613 KG KOKAINË
Fillimisht u kap sasia më e madhe e sekuestruar në dekadën e fundit, prej 613 kilogramësh kokainë në Portin e Durrësit.
Kjo sasi rekord u kap rreth orës 06:00 të mëngjesit brenda një kamioni, i cili kishte si destinacion Italinë, ndërsa janë arrestuar tre persona për këtë.
Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se droga e sekuestruar ishte e ndarë në më shumë se 800 pako, e fshehur në disa kontenierë që transportonin banane dhe vlera e saj kapte shifrën prej 180 milionë euro.
“Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.
Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.
Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.”, tha Veliu.
Më tej shefi i Policisë deklaroi se ishin arrestuar dy persona, ndërsa ishte shpallur në kërkim pronari i kompanisë së përmendur.
“Rezulton se të përfshirë janë personat e arrestuar: Donaldo Lushaj, 25 vjeç, banues në Tropojë dhe Armando Pezaku, 28 vjeç, banues në Durrës. Është shpallur në kërkim edhe pronari i firmës A.Ç.”, tha Veliu.
Shefi i Policisë bëri me dije gjithashtu se sasia e sekuestruar e lëndës narkotike kapte vlerën e 180 milionë eurove.
Sinjalizimi për transportimin e drogës, kishte ardhur nga njësitë antidrogë nga Spanja, Gjermania dhe Hollanda, të cilat kishin njoftuar autoritetet shqiptare, nga EUROPOL si edhe nga DEA amerikane.

CATANZARO, ITALI- 5 TONË MARIJUANË
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia italiane ka vënë nën pranga rreth 25 persona, të cilët akuzohen për trafikim droge.
Operacioni antikanabis i policisë italiane vazhdon ende, mirëpo paraprakisht bëhet me dije se bëhet fjalë për rreth 5 tonë marijuanë të sekuestruar, e cila vinte nga Shqipëria.
Detajet e operacionit do të zbulohen më vonë gjatë një konference shtypi që do të mbahet sot në orën 9.45, në kazermat “Soveria Mannelli” në Catanzaro.
Ky operacion vjen fill pas kapjes së 613 kilogramëve me kokainë në portin e Durrësit, që vinte nga Kolumbia dhe kishte si destinacion Europën.
IGUMENICË – 424 KG MARIJUANË
Nga Italia, operacionet antidrogë lidhur me shqiptarë kalojnë tashmë në Greqi. Një gomone me drogë është kapur sot pas mesnatës, në plazhin e Platarias në Igumenicë.
Brenda në gomone ishin fshehur 36 pako me 424 kilogramë marijuanë. Pas operacionit ka përfunduar në pranga një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, i cili ishte në rolin e skafistit.
Mediat italiane shkruajnë se shqiptari u kap ndërkohë që tentonte të nxirrte drogën nga gomonia, për ta kaluar për pas në treg.
Ky është rasti i tretë brenda qarkut kohor të 24 orëve, që kapet një sasi e madhe lëndësh narkotike ku Shqipëria është e përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



