Shqipëria vijon të digjet/ 9 vatra aktive
Dajti dhe Gurë-Lura zonat më kritike
Situata e zjarreve mbetet problematike në disa zona të vendit. Deri në orën 16:30 të kësaj të shtune, 15 gusht, përditësimi më i fundit zyrtar i publikuar nga Ministria e Mbrojtjes mbetet ai i orës 14:00, sipas të cilit në territorin e vendit janë evidentuar 12 vatra zjarri, prej të cilave 9 vijojnë aktive, 2 janë nën monitorim dhe një është shuar plotësisht.
Operacionet më të mëdha vijojnë në Dajt të Tiranës dhe Gurë-Lurë të Dibrës, ku krahas forcave tokësore po ndërhyhet edhe nga ajri.
Në të gjithë vendin janë angazhuar 285 forca operacionale dhe 120 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri operojnë dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Në Dajt, zjarri vijon në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në zonën e Priskës, Farkës, Lundrës dhe Gurrës së Madhe është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat operacionale.
Situata mbetet më e vështirë në Gurë-Lurë të Dibrës, ku vijon një nga operacionet kryesore kundër flakëve. Në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 efektivë policie, 11 forca të ADZM-së Dibër, 15 efektivë zjarrfikës, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.
Hapja e korridoreve me fadroma dhe ndërhyrja e forcave në terren kanë frenuar përparimin e zjarrit drejt banesave. Autoritetet deklarojnë se për momentin nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Bulqizë–Selishtë, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa vijon aktiv nga krahu i Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Krujë, vatra e zjarrit në lagjen Abaze mbetet aktive, por me intensitet të ulët, ndërsa zjarri në Zidoll është nën monitorim.
Në Lufaj të Mirditës, forcat po punojnë për hapjen e korridoreve ndarëse dhe izolimin e flakëve, me qëllim shmangien e përhapjes së zjarrit drejt banesave.
Ndërkohë, vatra pranë stacionit të trenit në Mamurras është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së strukturave operacionale.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë në Dropull, Gjormë në Selenicë dhe Dardhë të Librazhdit, ku vijon puna për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në këto zona nuk raportohet aktualisht rrezik i drejtpërdrejtë për banesat.
Bilanci i fundit zyrtar i konfirmuar deri në orën 16:30:
● 12 vatra të evidentuara
● 9 vatra aktive
● 2 vatra nën monitorim
● 1 vatër e shuar plotësisht
● 285 forca operacionale në terren
● 120 efektivë të Forcave të Armatosura
● 2 helikopterë të Forcës Ajrore
● 2 avionë Air Tractor
● Dajti dhe Gurë-Lura mbeten zonat me operacionet kryesore
● Nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara
AKMC vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat qendrore dhe vendore të Mbrojtjes Civile, ndërsa kapacitetet tokësore dhe ajrore mbeten në gatishmëri për ndërhyrje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


