E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqiptarët po ikin, Presidenti ‘lutet’ për punëtorë nga Bangladeshi
Lajme

Shqiptarët po ikin, Presidenti ‘lutet’ për punëtorë nga Bangladeshi

Përkundër faktit që Presidenca nuk ka bërë ende ndonjë njoftim zyrtar, dy media të ndryshme në Bangladeshit kanë raportuar një takim të zhvilluar në New York mes presidentit shqiptar Bajram Begaj dhe Muhammad Yunus, këshilltar kryesor i qeverisë bangladeshe. Gjatë këtij takimi, presidenti Begaj ka kërkuar fuqinë punëtore bangladeshe për të mbështetur nevojat e tregut të punës në Shqipëri.

Gazeta “The Daily Star” e titullon artikullin: “Shqipëria shumë e interesuar për të marrë punonjës nga Bangladeshi për tregun e saj të punës”, ndërsa “The Business Standard” shkruan: “Rritja nevojës për punëtorë, Shqipëria kërkon punonjës nga Bangladeshi”.

Të dyja këto media raportojnë se Shqipëria është shumë e interesuar për të rekrutuar punonjës të kualifikuar dhe gjysmë-kualifikuar nga Bangladeshi, për të përmbushur nevojat e saj në zgjerim.

Presidenti Begaj e ka shprehur këtë interes gjatë një takimi në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York, me këshilltarin Muhammad Yunus. Ai ka theksuar se disa kompani shqiptare kanë paraqitur tashmë kërkesa për të punësuar punëtorë bangladeshas, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë urgjente për fuqi punëtore të kualifikuar në disa sektore.

Po ashtu, presidenti Begaj e ka nxjerrë në pah mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në sektorin e turizmit. Ai ka përmendur bregdetin jugor të Shqipërisë si një destinacion tërheqës për turistët bangladeshas.

Këshilltari Yunus e ka mirëpritur iniciativën dhe ka theksuar se Bangladeshi, me një fuqi punëtore të re dhe dinamike, është shumë i pozicionuar për të mbështetur rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për lehtësimin e procedurave të vizave, pasi aktualisht qytetarët bangladeshas duhet të udhëtojnë në New Delhi për të aplikuar për viza.

Në përgjigje, presidenti Begaj ka njoftuar se Shqipëria po shqyrton mundësinë e futjes së vizave elektronike për shtetasit bangladeshas. Gjithashtu, Asif Nazrul, i cili mbikëqyr Ministrinë e Mirëqenies së Emigrantëve dhe Punësimit Jashtë Vendit, ka konfirmuar se Bangladeshi ka mundësinë të sigurojë një gamë të gjerë punëtorësh, përfshirë mjekë, infermierë, punëtorë të fabrikave dhe të bujqësisë. Ai ka theksuar rëndësinë e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për të lehtësuar procesin e rekrutimit.

Presidenti Begaj përmendi gjithashtu gatishmërinë e universiteteve shqiptare për të pritur studentë bangladeshas, përmes skemave ekzistuese ndërkombëtare të regjistrimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.