Shtëpia e Bardhë publikon raportin vjetor të kompetencave të luftës: Përkushtimi i SHBA-së ndaj Kosovës vazhdon
Shtëpia e Bardhë ka publikuar raportin vjetor të Kompetencave të Luftës, ku theksohet përkushtimi i vazhdueshëm i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Dokumenti jep një pasqyrë të dislokimeve globale të trupave të pajisura për luftim, duke përfshirë detaje specifike për Republikën e Kosovës.
Në pjesën e kushtuar Kosovës, raporti bën të ditur se SHBA-ja vazhdon të kontribuojë aktivisht në misionin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare, për të siguruar mosriprerjen e armiqësive.
Shtëpia e Bardhë përcakton se rreth 591 ushtarë amerikanë janë në mesin e rreth 3,800 pjesëtarëve të Forcave të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Këto trupa, që vijnë nga 27 shtete të ndryshme, kanë si detyrë të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Baza ligjore e mandatit të KFOR-it vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, pas Marrëveshjes Teknike të Kumanovës. Kjo marrëveshje siguroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare të paqeruajtjes.
Megjithëse numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë është zvogëluar gjatë viteve, për shkak të përmirësimit të situatës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se do të ketë rritje të trupave në zonë për të qetësuar dhunën në veri. Ky raport thekson angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



