Shteti sipas Ramës: Kur arroganca zëvendëson demokracinë!
Edi Rama është shumë i vetëdijshëm për realitetin politik që ka përballë: një opozitë e çoroditur, e paaftë të ri-organizohet seriozisht, ndërsa prezenca e saj në Parlament mbetet thjesht dekor për të ruajtur iluzionin e pluralizmit.
Më 11 maj, Rama mori mandatin e katërt radhazi si Kryeministër, një arritje e rrallë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në nivel europian, duke siguruar një shumicë parlamentare aq të madhe saqë ndryshimet kushtetuese janë praktikisht të mundshme me një përpjekje minimale.
Por çfarë karakteri do të ketë ky mandat i katërt, që zyrtarisht nisi më 12 shtator, me nisjen e punimeve të Parlamentit të ri?
Që nga dita e zgjedhjeve më 11 maj, e deri te votëbesimi me 82 vota mes rrëmujës në sallë, Rama ka përqendruar gjithë vëmendjen tek ajo që e quan “çlirimi i territorit nga ndërtimet pa leje”. Aksioni nisi me çadrat dhe shtesat nëpër lokale, për të vazhduar me shembje godinash në Theth dhe një objekt në Vlorë. Në këtë ndërhyrje, Rama nuk u paraqit si një kryeministër që ka 12 vite në pushtet, por si një figurë e re që sapo ka zbuluar realitetin shqiptar dhe po reagon i tronditur nga ajo që sheh.
Në opinion publik, kjo u lexua jo si një përpjekje e sinqertë për reformë, por si shfaqje e arrogancës shtetërore. Reagimi i Ramës ndaj kësaj perceptimi ishte i njëjtë: një retorikë kërcënuese që përfshinte fjalë kyçe si “sekuestrim”, “konfiskim”, “burg”. Në një nga daljet e fundit publike, i shoqëruar nga dy ministrat e tij – të cilët më shumë dukeshin si figurantë – Rama mori vetë rolin e gjithologut, duke shpallur rregulla të reja dhe paralajmërime të forta, veçanërisht kundër ndërtuesve, inxhinierëve, arkitektëve, por edhe qytetarëve të zakonshëm.
Por konfiskimi i pronës është një proces që në vendet demokratike nuk mund të vendoset me një urdhër qeveritar. Është një procedurë që kalon nëpër instanca ligjore, me garanci të plota për të drejtat e individit. Përndryshe, rikthehemi në modelet autoritare të shekullit të kaluar, ku prona merrej me ferman.
E vetëdijshëm për këtë, Rama megjithatë vazhdon të luajë shumë role njëherësh: Kryeministër, shef policie, drejtues i IKMT-së, ekspert urbanistike dhe, kur i duhet, edhe si gjyqtar që shpall dënime.
Paralelisht me retorikën për sekuestrime, ka rifutur në lojë edhe kërcënimin me burg – një taktikë që e përdori për herë të parë në mandatin e parë, kur ndëshkonte qytetarët që nuk paguanin energjinë elektrike.
Në këtë mandat, që nisi pa asnjë prezantim të një programi të mirëfilltë qeverisës – për shkak edhe të bllokimeve të opozitës – Rama po hedh ide një nga një, në mënyrë të kontrolluar. Mungesa e debatit parlamentar dhe dobësia e opozitës i japin terren të lirë për të modeluar pushtetin siç dëshiron.
Ngjarjet e fundit në Bashkinë e Tiranës dhe jo vetëm, kanë treguar se ai ka nën kontroll çdo hallkë të pushtetit vendor. Ultimatumi për largimin e drejtorëve dhe nënkryetarëve të Bashkive nuk ishte thjesht një sinjal politik, por një tregues i qartë se askush nuk guxon të kundërshtojë urdhrat nga lart. Dorëheqjet u bënë të detyrueshme, zyrat u pastruan me heshtje, ndërsa askush nuk reagoi, as formalisht.
Ndërkohë, opozita mbetet e zënë në krizën e saj të brendshme, ndërsa Rama e përdor këtë boshllëk për të përforcuar pozicionin e vet. Ai ka lënë të kuptohet qartë se nuk do të presë pafund për “bashkëpunim” në dy çështjet kyçe që kanë nevojë për reformë: sistemi zgjedhor dhe ndarja territoriale. Në mungesë të opozitës, ai do ta çojë përpara gjithçka vetëm, ndërsa partnerëve ndërkombëtarë do t’ua shesë si “reforma gjithëpërfshirëse”, në stilin klasik të pazarit të minutës së fundit.
Rama po eksperimenton më lirshëm se kurrë më parë, me bindjen se asgjë nga këto veprime nuk do të sjellë ndonjë valë reagimi që mund t’i kërcënojë realisht pushtetin. Jo vetëm atë të Kryeministrit, por kontrollin absolut të çdo hallke të sistemit që ai e ka kthyer në një strukturë të centralizuar që ngjan më shumë me një ‘sulltanat’ se sa me një demokraci funksionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



