E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shtrëngohen masat, shoferëve të dehur do u hiqet patenta
Lajme

Shtrëngohen masat, shoferëve të dehur do u hiqet patenta

Ashpërsohen rregullat në rrugë, Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Rrugor

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota paketën e re të ndryshimeve në Kodin Rrugor, duke sjellë masa më të ashpra për shkelësit dhe rregulla të reja që synojnë rritjen e sigurisë në rrugë.

Ndryshimet, të propozuara nga deputetët Erion Braçe dhe Ulsi Manja, fokusohen te ndëshkimet për drejtimin nën efektin e alkoolit, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit dhe drejtimin e mjeteve pa leje drejtimi.

Një nga pikat më të forta të paketës është masa për heqjen përfundimtare të patentës për drejtuesit që kapen përsëritës në gjendje të dehur. Sipas ligjit të ri, nëse një shofer konstatohet me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, në rast përsëritjeje do t’i hiqet përgjithmonë leja e drejtimit.

Ligji parashikon gjithashtu rregulla të reja për shoferët e rinj, të cilët do të jenë në një regjim prove për dy vitet e para. Për këtë kategori vendoset tolerancë zero ndaj alkoolit, kufizime shpejtësie deri në 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h jashtë zonave të banuara, si dhe ndalim qarkullimi gjatë natës nga ora 24:00 deri në 06:00 pa një shoqërues me përvojë.

Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Në rast përsëritjeje, periudha e provës zgjatet edhe me një vit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e telefonit celular, ku ndalimi tashmë shtrihet edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.

Paketa e re ashpërson gjithashtu masat ndaj drejtuesve pa patentë. Personat e kapur në shkelje nuk do të mund të regjistrohen në autoshkollë për një vit, ndërsa për të miturit ndalimi zgjatet deri në dy vite nga momenti kur fitojnë të drejtën për të aplikuar.

Po ashtu, janë rritur ndjeshëm gjobat për sjellje të rrezikshme në rrugë, përfshirë manovrat agresive dhe ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim, me masa që variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Sipas propozuesve, këto ndryshime synojnë uljen e aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane.

Ndryshimet e propozuara:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 ç dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.