E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Shtrëngrohet” laku për shoferët, gati ndryshimet “e hekurta”
Lajme

“Shtrëngrohet” laku për shoferët, gati ndryshimet “e hekurta”

Shoferët që kapen dy herë me alkool mbi 0.5 gr/l në gjak u hiqet patenta përgjithmonë

Orar i kufizuar qarkullimi për shoferët e rinj

Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, shumica qeverisëse ka përgatitur një paketë të re ndryshimesh në Kodin Rrugor, me masa ndëshkuese shumë më të ashpra për shkelësit.

Drafti është propozuar nga Ulsi Manja dhe Erion Braçe, dhe synon të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore, veçanërisht për drejtuesit e rinj dhe ata që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit.

Ndër masat më të forta është ajo ndaj shoferëve që kapen të dehur në mënyrë të përsëritur: nëse një drejtues mjeti kapet me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, rrezikon t’i hiqet patenta përgjithmonë.

Po ashtu, drafti parashikon një sërë kufizimesh për shoferët e rinj:

  • Nëse kapesh duke drejtuar automjet pa leje drejtimi, nuk mund të pajisesh me patentë për 1 vit
  • Nëse je i mitur, patenta shtyhet me 2 vite nga momenti kur fiton të drejtën për ta marrë (nga 18 në 20 vjeç)
  • Gjatë vitit të parë të patentës, drejtimi i mjetit duhet të bëhet me 0 nivel alkooli
  • Shoferët e rinj nuk lejohen të qarkullojnë nga ora 24:00 deri në 06:00 pa një shoqërues me patentë mbi 3 vite

Ndryshime të tjera përfshijnë edhe kufizime në shpejtësi, ku parashikohet maksimumi 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët interurbane, me gjoba që variojnë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, si dhe pezullim të patentës dhe heqje pikësh.

Një tjetër risi është ndalimi i përdorimit të celularit gjatë drejtimit të biçikletave dhe motorëve elektrikë.

Projektligji parashikon gjithashtu një periudhë prove për drejtuesit e rinj: nëse nuk kryejnë shkelje për një vit, kufizimet hiqen, por nëse kapen me dy shkelje, periudha e provës zgjatet edhe me një vit tjetër.

Këto masa vijnë në një moment kur siguria rrugore është kthyer në një nga shqetësimet kryesore në vend, ndërsa pritet që drafti të diskutohet dhe votohet në Kuvendi i Shqipërisë në javët në vijim.

Ndryshimet e propozuara:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

  1. Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 ç dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.