Si 28-vjeçari vrau shokun që ishte kthyer nga Anglia!
Ai ishte vetë i gjashti në një tavolinë me shokët e tij, në një lokal në rrugën “5 Maji”, kur njëri prej tyre i drejtoi armën dhe e shkrepi.
Nga pamjet e kamerës së sigurisë, duket momenti kur Mehmet Qema, i drejton, i bën me shenjë shokut të tij që ishte në këmbë, që të largonte pistoletën që i kishte drejtuar. E megjithatë, Marius Dema, 28 vjeç, vazhdon me lojën, derisa arma shkrepet dhe e vret shokun e tij. Nga pamjet duket se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, ashtu sikurse ka deklaruar vetë i dyshuari, por edhe shokët e tjerë që ndodheshin me ta në tavolinë.
Përveç Marius Demës që u vetëdorëzua disa orë pas vrasjes, 4 shokët e të dyve që gjendeshin së bashku me ta, përtej orës policore, janë nën hetim për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur në orën 23:15, pra 1 orë e 15 minuta pasi ishte vendosur ora policore dhe supozohej që lokalet të ishin të mbyllura dhe qytetarët, nëpër shtëpitë e tyre.
NGJARJA

Policia e Tiranës njoftoi të hënën mbrëma se, rreth orës 23:15, në rrugën “5 Maji”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasi Mehmet Qema, 27 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. “Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorit. Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe mbledhjen e çdo prove të mundshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e parë të Policisë.
Ndërsa në njoftimin tjetër, mëngjesin e djeshëm, Policia shprehet se është zbardhur ngjarja e ndodhur në rrugën “5 Maji” ku u vra me armë zjarri 27-vjeçari. “Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i dyshuar i ngjarjes. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të tjerë për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, thuhet në njoftimin e dytë.
ZBARDHJA E NGJARJES
Rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, Policia e Tiranës njoftonte se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.4, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Mehmet Qema, 27 vjeç, bazuar dhe në provat e grumbulluara, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje shtetasit: Marius Dema, 28 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim edhe shtetasit Erlind Peka, 27 vjeç, Blerim Hoti, 28 vjeç, Bralid Aga, 23 vjeç, Frenkli Myftari, 29 vjeç dhe Xhuljano Koçi, 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Më pas, rreth orës 10:30, Policia deklaroi se në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes, janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë autori i dyshuar i ngjarjes, Marius Dema, 28 vjeç si dhe të gjithë personat e tjerë, që ishin shpallur në kërkim.
Në vendngjarje u zbulua një ambient ku prodhoheshin kriptomonedha
Teksa Policia u rikthye në vendngjarje, bashkë me autorin e dyshuar, për të gjetur armën, me të cilën u krye vrasja, në katin e dytë të objektit, u zbulua një pajisje që dyshohet se prodhon “Bitcoin”. Për këtë arsye, vendi ku ndodhi ngjarja ka vijuar të qëndrojë për disa orë me radhë e rrethuar me shiritin e Policisë. Ndërsa përveç oficerëve të Krimeve të Rënda, aty kanë shkuar edhe oficerë të Antikrimit Ekonomik e Financiar. Dëshmitarë të ngjarjes kanë treguar dje për grupin hetimor, se përpara se të ndodhte vrasja, të rinjtë kanë qenë duke qëndruar në qetësi dhe nuk kanë pasur asnjë konflikt me njëri-tjetrin, pasi ishin miqtë gjithë bashkë. Ndërsa për sa i përket pajisjes që prodhon “Bitcoin”, një prej dëshmitarëve ka treguar se ambienti i ishte dhënë me qira, të dyshuarit Marius Dema. Ky i fundit, tashmë përveç akuzës për vrasje, pritet të merren në pyetje edhe për ambientin e prodhimit të kriptomonedhave, që u zbulua dje rastësisht nga Policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



