Si funksionon ‘aleanca’ e heshtur e krimit të organizuar?
Bosët e kriptove dhe miliona euro të pista që qarkullojnë në Shqipëri
Dikur, krimi i organizuar i pastronte paratë përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të prekshme: valixhe me euro që kalonin kufijtë, apartamente luksoze ku ruheshin miliona, apo ndërtime të shumta për t’i dhënë parasë së pistë një pamje të ligjshme.
Ishte një ekonomi fizike, e dukshme, ku çdo veprim linte gjurmë, por mbante edhe rreziqet e veta. Sot, kjo botë ka ndryshuar rrënjësisht.
Metodat tradicionale janë bërë të ngadalta për një realitet ku teknologjia dikton gjithçka. Paratë nuk kalojnë më në dogana dhe nuk transportohen fizikisht. Mjafton një laptop, një lidhje interneti dhe një klikim. Shumat zhduken në rrjete virtuale, kalojnë kufijtë pa lënë gjurmë dhe transformohen në kriptomonedha.
“Grupet kriminale e kanë zhvilluar veten, kanë kaluar nga metodat tradicionale të pastrimit të parave në metoda të reja. Edhe organizatat shtetërore duhet të jenë në të njëjtën valë zhvillimi, për të kuptuar se cilat janë dritaret e reja që ndjek krimi për të fshehur paratë e pista.”
Sipas ish-prokurorit Eugen Beci, pastrimi i produkteve të veprës penale sjell vazhdimisht risi dhe është i lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin teknologjik:
“Duke iu referuar mënyrës se si paraja dixhitale është zhvilluar vitet e fundit, kjo përbën një sfidë më vete për organet ligjzbatuese, të cilat duhet të marrin nën kontroll pastrimin e produkteve të veprës penale.”
Sot, një “wallet” i thjeshtë në Tiranë mund të kontrollojë miliona euro që duken të pastra, ndërsa origjina e tyre mbetet kriminale.
Ky është evolucioni i pastrimit të parave: nga rrugët dhe ndërtesat fizike, drejt laboratorëve dixhitalë, ku krimi ndërthur teknologjinë, mashtrimin financiar dhe luksin.
“Gjurmimi i kriptomonedhave është tmerrësisht i vështirë, por falë bashkëpunimit të ngushtë me Europol, Eurojust dhe vende si Holanda, Belgjika, Spanja, Gjermania e Franca, kemi krijuar një skuadër të përbashkët jo hetimore, ku shkëmbejmë informacione për risitë që prodhon bota e kriptove.”
Një sistem ku çdo klikim mund të fshehë një histori të errët, dhe ku gjurmët nuk ruhen më në kasaforta, por në blockchain – një botë dixhitale që pak kush e kupton, por që është kthyer në strehën perfekte për krimin e organizuar.
Pedagogia Nadia Elbasani thekson se mungesa e trajnimeve dhe e burimeve njerëzore e bën edhe më të vështirë hetimin:
“Mungesa e trajnimeve dhe stafit të mjaftueshëm për të gjurmuar këto transaksione krijon vështirësi serioze për organet shtetërore në identifikimin e autorëve.”
Ndërkohë, Eugen Beci shton se hetimi duhet të nisë nga vetë struktura e kriptomonedhës:
“Hetimi i këtyre mënyrave të pastrimit duhet të fillojë nga identifikimi i saktë i të dhënave që mbart një kriptomonedhë.”
Teksa institucionet përpiqen të ndjekin rrjedhat virtuale, krimi është gjithmonë një hap përpara. Ai ka ndërtuar një ekonomi të padukshme, ku paraja e pistë shndërrohet në biznes, pushtet dhe luks, duke u dukur e pastër, por duke mbartur një histori të errët.
Bosët e call-centerëve dhe “mjeshtrat” e portofolëve virtualë formojnë sot një aleancë të heshtur që qarkullon miliona euro të pista.
Paratë udhëtojnë përtej kufijve pa u ndalur në dogana, pa emër dhe pa pyetje. Ato shndërrohen në bitcoin, shpërndahen në dhjetëra “wallet”-e dhe rikthehen si para të pastra, gati për t’u investuar në prona, biznese, luks dhe pushtet. Kjo është forma më moderne e pastrimit të parave.
Eksperti i kriptove Dorian Kane shpjegon se ekzistojnë kompani që merren me gjurmimin e këtyre lëvizjeve:
“Kompanitë si Chainalysis dhe Arkham kanë pasur rezultate shumë të mira në identifikimin e portofolëve të përfshirë në pastrimin e parave dhe në analizimin e mënyrës se si fondet shpërndahen për ta vështirësuar gjurmimin.”
Avokati Dritan Jahaj thekson dallimin mes transaksioneve bankare dhe atyre me kriptomonedha:
“Një transaksion bankar është shumë më i kontrollueshëm, pasi palët identifikohen përmes bankës. Ndërsa në transaksionet me bitcoin, identifikimi është pothuajse i pamundur, pasi përdoren vetëm kode alfanumerike pa të dhëna për dërguesin dhe pritësin.”
Një sistem i ndërtuar mbi iluzionin e lirisë financiare, që sot shihet si streha më e sigurt e krimit të organizuar.
Pas kësaj skeme nuk qëndrojnë vetëm paratë e trafikut apo të gjakut, por edhe fitimet nga mashtrimet masive të call-centerëve. Persona që nuk kanë parë kurrë bursën, por dinë të manipulojnë sistemet më të avancuara të teknologjisë financiare.
“Metodat e reja nuk kanë ende një historik të gjatë dhe mungesa e dijenive e trajnimeve është evidente. Elementi kyç mbetet bashkëpunimi ndërkombëtar, pasi shtetet e tjera kanë më shumë eksperiencë se Shqipëria,” shprehet Nadia Elbasani.
Dorian Kane paralajmëron për skemat mashtruese:
“Janë premtime që nuk janë të vërteta. Vetë mënyra e prezantimit dhe kontaktit i dallon nga platformat zyrtare të licencuara.”
Ata fshihen pas zyrave me xhama të errët në qendër të Tiranës, ku çdo ditë dikush vë kufjet dhe, me një zë të qetë, i thotë një investitori në Itali:
“Po, zotëri. Keni bërë zgjedhjen e duhur. Do të fitoni shumë…”
Aty nis gjithçka: një mashtrim global që shndërron kursimet e njerëzve në kriptovaluta dhe më pas në asete të një rrjeti kriminal që di vetëm të zhdukë gjurmë.
“Ne nuk arritëm të rikuperojmë para për momentin. Përmes mekanizmit të bitcoin-it, rikuperimi është jashtëzakonisht i vështirë.”
Kjo deklaratë konfirmon se krimi nuk është më në rrugë. Ai është në “cloud”. Dhe gjurmët e tij nuk ruhen më në kasaforta, por në blockchain – një hapësirë dixhitale që pak kush di ta lexojë.
“Është një sektor i ri dhe me vështirësi të mëdha. Zhvillimi duhet të jetë paralel me rritjen e burimeve njerëzore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërkombëtar,” përfundon Nadia Elbasani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



