Si hyri Muç Sheqeri në AMP me dokumente të falsifikuara!
Lidhjet që çojnë deri te Ilir Proda
Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet që po zhvillohen pas atentatit mafioz në Rinas, ku u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe mbeti i plagosur Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si Muç Sheqeri.
Burime të sigurta konfirmojnë se Shaljani kishte hyrë në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) me dokumente të falsifikuara, duke zbuluar një skemë të frikshme që përfshin emra nga kupola e Policisë së Shtetit.
Falsifikimi që çoi kriminelin në radhët e AMP-së
Sipas burimeve të hetimit, personi kyç në këtë operacion ishte Bruno Cara, tashmë i arrestuar nga vetë AMP-ja. Ai dyshohet se ka siguruar certifikatën e pastërtisë së figurës për Shaljanin përmes dokumenteve të falsifikuara, duke i hapur rrugën emërimit të tij si agjent në institucionin që ka detyrë të hetojë korrupsionin dhe lidhjet e policëve me krimin.
Por historia nuk ndalet këtu.
Lidhjet që çojnë deri te Ilir Proda
Hetuesit kanë zbuluar se Bruno Cara është kushëri i biznesmenit Ylli Cara, një emër i njohur si mik i ngushtë i Ilir Prodës, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kjo lidhje familjare po konsiderohet “halla e artë” që i hapi rrugë Muç Sheqerit drejt AMP-së një institucion që duhet të garantonte integritetin e uniformës blu, por që tani shfaqet si i kapur nga brenda.
Policia dhe krimi – kufiri që është zhdukur
Rasti i Muç Sheqerit po shihet si simbol i degradimit të strukturave të rendit, ku bandat kriminale dhe efektivë të policisë ndërthuren në një sistem të ndotur deri në majë.
Vetë fakti që një “agjent i AMP-së”, i futur me dokumente të falsifikuara, ndodhej në makinën e Gilmando Danit gjatë atentatit, është sinjali më alarmant për gjendjen e institucioneve që duhej të mbronin shtetin nga krimi.
Një sistem i kalbur nga brenda
Hetimet e SPAK dhe AMP-së pritet të zbulojnë rolin e çdo hallke në këtë zinxhir nga falsifikimi i dokumenteve, tek ndikimi politik dhe familjar, e deri te marrëdhëniet e dyshimta të drejtuesve të policisë.
Ngjarja e Rinasit, që nisi si një atentat mafioz, po kthehet në skandalin më të madh institucional të viteve të fundit, duke treguar se kriza e besimit në Policinë e Shtetit nuk është më problem individësh, por një sëmundje sistemike që ka prekur vetë strukturën e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



