Si ndodhi atentati në Rinas, në një nga zonat më të sigurta të vendit
Ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (i njohur si Sheqeri), po trondit opinionin publik për mënyrën e ekzekutimit dhe vendndodhjen e atentatit.
Burime pranë hetimit e kanë cilësuar ngjarjen si një krim të mirëorganizuar, të kryer me profesionalizëm të lartë dhe me logjistikë të përgatitur. Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë vepruar në një zonë të mbipopulluar dhe të mbikëqyrur, vetëm 50 metra larg komisariatit të policisë dhe pranë hyrjes VIP të aeroportit të Rinasit, një ndër pikat më të sigurta të vendit.
Ekspertët e rendit theksojnë se fakti që atentati ndodhi në këtë zonë tregon nivelin e organizimit të autorëve, të cilët kanë zgjedhur një vend ku zakonisht ka postbllok policie dhe prani të shtuar efektivësh.
Më tronditëse, sipas burimeve, ka qenë mënyra si kanë reaguar forcat e rendit pas ngjarjes. Pasi automjeti u qëllua, është raportuar se u desh kohë për t’u dhënë ndihmë personave në makinë, ndërsa një efektiv tentoi të thyente xhamin me këmbë për të hapur derën, një episod që tregon mungesë trajnimi dhe pajisjesh të nevojshme për situata emergjente.
Ngjarja ndodhi shumë pranë komisariatit të Rinasit, çka e bën edhe më të rëndë faktin se autorët arritën të kryejnë atentatin dhe të largohen pa u identifikuar menjëherë.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar itinerarin e autorëve dhe mënyrën se si ata arritën të shmangnin ndalimin në një nga zonat më të sigurta të qarkullimit në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



