Si në filma! Shqiptari zihet me gruan, hidhet bashkë me të në det
Një ngjarje e pazakontë dhe dramatike ka ndodhur në portin e Cattolica, në Rimini të Italisë, ku një 45-vjeçar shqiptar dyshohet se tentoi t’i jepte fund jetës së tij dhe bashkëshortes pas një konflikti të fortë mes tyre.
Sipas mediave italiane, pas sherrit me gruan, shqiptari hipi në automjetin e tij, një Volkswagen Golf, dhe e drejtoi makinën drejt skelës së portit. Automjeti përfundoi në det, duke shkaktuar panik në zonën e portit.
Në momentin që makina u përplas me ujin, dyert e automjetit u hapën. 45-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, një 40-vjeçare italiane, arritën të dilnin nga kabina përpara se automjeti të fundosej.
Pas alarmit, disa persona të pranishëm u futën në ujë për t’u ardhur në ndihmë çiftit, ndërsa në port mbërritën menjëherë ambulancat, zjarrfikësit, karabinierët dhe efektivët e Kapitanerisë së Portit.
Shqiptari u largua me vrap pas shpëtimit
Personeli mjekësor u dha ndihmën e parë të dy personave. Gruaja u transportua më pas në spital, ku u trajtua në gjendje shoku, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, sapo u përmend dhe pasi mori ndihmën e parë, 45-vjeçari shqiptar u largua me vrap në drejtim të zonës së shkëmbinjve, duke humbur gjurmët.
Forcat e rendit nisën kërkimet për lokalizimin e tij, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ishte arrestuar një ditë më parë
Ngjarja merr një tjetër zhvillim pasi rezulton se vetëm një ditë para incidentit në port, shqiptari ishte arrestuar nga karabinierët.
Sipas raportimeve, arrestimi kishte ardhur pas një tjetër konflikti me gruan e tij, gjatë të cilit 45-vjeçari dyshohet se kishte kundërshtuar dhe rezistuar ndaj autoriteteve.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e konflikteve mes çiftit dhe të përcaktojnë rrethanat që çuan në momentin dramatik në portin e Cattolica.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



