Si përvetësoi projektin e kompanisë prestigjioze EPAM mafia shqiptare
Skandali i Durana Tech Park
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj projektit të quajtur “Durana Park”, duke e cilësuar atë një skandal të përmasave të mëdha, që sipas tij fsheh një skemë të organizuar për përvetësimin e pasurive publike dhe shmangien masive të taksave.
Në një deklaratë nga selia blu, Berisha tha se projekti i paraqitur si park teknologjik nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin real apo investimet e huaja, por përfaqëson një “zonë virtuale”, e ndërtuar për t’u shërbyer interesave klienteliste të lidhura me qeverinë. Sipas tij, kjo skemë dëmton drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe shkatërron konkurrencën e ndershme në sektorin e teknologjisë.
Berisha deklaroi se ideja fillestare e parkut teknologjik lidhej me interesimin e kompanisë ndërkombëtare EPAM, një prej gjigantëve botërorë të industrisë IT, e cila pas agresionit rus ndaj Ukrainës kërkonte të zhvendoste aktivitetin e saj në një vend tjetër. Shqipëria, sipas tij, ishte përzgjedhur si alternativë, ndërsa qeveria shqiptare kishte dhënë garanci për krijimin e një zone të dedikuar me kushte të favorshme për investimin.
Megjithatë, lideri i opozitës pretendon se projekti u përvetësua nga interesa mafioze, duke përjashtuar investitorin real dhe duke e shndërruar nismën në një skemë fiktive. Ai tha se kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi për të investuar, ndërsa sot në terren nuk ekziston asnjë park teknologjik, por vetëm ara dhe livadhe.
Sipas Berishës, në zonën e shpallur si park teknologjik në Xhafzotaj nuk ka ndërtesa, zyra apo punësim real. Ndërkohë, dhjetëra kompani janë regjistruar formalisht në këtë park për të përfituar lehtësira fiskale ekstreme, edhe pse aktivitetin e tyre e ushtrojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Ai tha se këto kompani paguajnë ndaj shtetit një normë simbolike tatimi prej 5 për qind, ndërsa përfitimet reale, sipas tij, kanalizohen drejt një rrethi të ngushtë personash të lidhur me pushtetin. Përveç humbjeve të mëdha financiare, Berisha akuzoi se përmes kësaj skeme kompanive të përfshira u garantohen edhe tenderë publikë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, duke eliminuar konkurrencën e ndershme.
Berisha e krahasoi këtë rast me aferën e inceneratorit të Tiranës, duke theksuar se në të dyja rastet bëhet fjalë për projekte pa ekzistencë reale në terren, por me pasoja të rënda financiare për qytetarët shqiptarë. Ai shtoi se, sipas tij, mungesa e hetimeve dhe e përgjegjësisë institucionale e bën këtë skandal edhe më të rëndë.
Në përfundim, kreu i PD-së deklaroi se rasti i “Durana Park” përfaqëson, sipas tij, një tjetër dëshmi të kapjes së shtetit dhe të përfshirjes së drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama në skema të rënda abuzimi ekonomik, duke theksuar se ky realitet kërkon reagim të fortë publik dhe politik.
“Sot jam këtu për superskandalin e ri që denoncoi me përgjegjësi të plotë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Jam këtu për parkun virtual të high-tech, apo de facto Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike.
Ja, ky është Silicon Valley i Edi Ramës, Armand Frangut, Fatmir Troplinit që quhet Durana.
Tre vite më parë, një nga gjigantët e high-tech-ut botëror, EPAM, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, vendosi të spostojë sipërmarrjen e tij të madhe dhe përzgjodhi Shqipërinë.
Presidenti i kësaj kompanie erdhi në Shqipëri, paraqiti projektin për zhvendosjen e aktivitetit dhe kërkoi krijimin e një zone me kushte të favorshme, siç e kishte në Ukrainë.
Kjo iu premtua, u fol për Silicon Valley në Durrës, por menjëherë kthetrat e mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi të investonte.
Troplana është një zonë virtuale. Kompanitë e regjistruara aty janë të shpërndara në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, nuk kanë asnjë aktivitet në Xhafzotaj.
Ato paguajnë një taksë simbolike 5 për qind ndaj shtetit, ndërsa taksat e vërteta ia paguajnë Edi Ramës dhe njerëzve të tij.
Në këto livadhe dhe ara vidhen qindra milionë euro në vit nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Ky skandal dëshmon shkallën më të lartë të inkriminimit të Edi Ramës dhe domosdoshmërinë absolute të largimit të tij nga pushteti,” u shpreh Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



