E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si po “zaptohen” tokat e qytetarëve nga “EN Construction” dhe “Dakz”
Lajme

Si po “zaptohen” tokat e qytetarëve nga “EN Construction” dhe “Dakz”

Zgjerimi i ndërtimeve shumëkatëshe, një fenomen që prej vitesh ka transformuar Tiranën, po përhapet me ritme të shpejta edhe në qytete të tjera, veçanërisht në zonat bregdetare. Së fundmi, një projekt i madh ndërtimi në Vlorë ka nxitur reagime të forta nga banorët lokalë, të cilët ngrenë shqetësime serioze për pronat e tyre.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një kompleksi rezidencial dhe hotelerie me dy kulla deri në 24 kate, i cili po realizohet në zonën e njohur si “7 Pallatet”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, përgjatë aksit Vlorë–Orikum. Projekti po zhvillohet nga kompanitë “EN Construction” sh.p.k. dhe “Dakz” sh.p.k., dhe përfshin një strukturë të përbërë nga disa nivele mbi dhe nën tokë.

Sipas dokumentacionit zyrtar të projektit, objekti është regjistruar si një kompleks multifunksional me funksione rezidenciale, shërbimi dhe hotelerie, me kate që variojnë nga 1 deri në 24 mbi tokë, si dhe tre kate parkimi dhe shërbimesh nëntokësore.

Leja e ndërtimit, e firmosur nga kryeministri Edi Rama, përcakton se projekti do të ndërtohet mbi një sipërfaqe trualli prej 6,306.27 metrash katrorë. Kompleksi do të përbëhet nga dy struktura kryesore: një kullë me funksion banimi dhe shërbimesh, dhe një tjetër e dedikuar për hotel dhe apart-hotel.

Megjithatë, banorët e zonës pretendojnë se situata në terren nuk përputhet me atë që parashikohet në dokumentacionin zyrtar. Ata shprehen se punimet kanë tejkaluar kufijtë e lejuar dhe kanë prekur drejtpërdrejt pronat e tyre private.

Në një denoncim të bërë publik, banorët deklarojnë se mjetet e rënda të kompanive ndërtuese kanë dëmtuar muret rrethuese të pronave dhe po tentojnë të ndërhyjnë në oborret e tyre për vendosjen e pilotave të objektit.

Sipas tyre, ndërhyrjet janë kryer përtej kufijve të truallit të miratuar në leje ndërtimi, duke prekur sipërfaqe që ata i konsiderojnë pronë të ligjshme, të pajisura me dokumentacion pronësie.

Pamje nga punimet

“Jemi disa banorë të lagjes së 7 Pallateve. Në mes të zonës sonë po ndërtohet një godinë 24-katëshe. Nuk respektohen standardet teknike dhe mungon distanca e sigurisë nga objektet ekzistuese. Po dëmtohen muret tona rrethuese dhe po tentohet ndërhyrja në oborret private, të cilat i kemi të regjistruara me dokumente të rregullta,” shprehen banorët në reagimin e tyre.

Ata theksojnë se për situatën kanë vënë në dijeni institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Shtetit dhe Gjykatën, por deri tani nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete.

“Prej 40 vitesh jetojmë në këtë lagje dhe nuk kemi hasur kurrë probleme të tilla. Kemi bërë ankesat përkatëse, por pa rezultat. I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë në terren dhe të verifikojnë nga afër situatën,” deklarojnë banorët.

Ky rast nxjerr në pah një problematikë që po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë në vend: zhvillimi intensiv urban, i promovuar si shenjë progresi dhe investimi, shpesh shoqërohet me konflikte të forta mbi pronësinë dhe përdorimin e hapësirave private, duke lënë qytetarët përballë sfidave të mëdha ligjore dhe institucionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.