Përfshihet nga flakët kabina e ujësjellësit në Vlorë
Një zjarr ka përfshirë një kabinë të ujësjellësit në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në afërsi të tunelit të qytetit. Flakët janë shfaqur fillimisht në zonën kodrinore dhe më pas janë përhapur drejt objektit që shërben për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit.
Situata ka vënë në alarm zonën, pasi zjarri ndodhet pranë hapësirave të banuara dhe objekteve të tjera përreth. Përballë rrezikut të përhapjes së flakëve, shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur ndërhyrjen për izolimin e vatrës dhe shuarjen e zjarrit.
Deri në këto momente, nuk ka ende një informacion zyrtar mbi shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin. Dyshohet se flakët kanë marrë përmasa pasi zjarri është përhapur nga pjesa kodrinore në drejtim të kabinës së ujësjellësit.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën në terren për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



