Si u gjetën 31 fishekë dhe arma gjermane në mjetin e Gjon Shkambit
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen e tragjike që ndodhi më 6 tetor 2025, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit. Ngjarja ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe ka shkaktuar një valë reagimesh në lidhje me sigurinë e institucioneve të gjyqësorit.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur gjatë një seance gjyqësore për një çështje me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, që zhvillohej në sallën nr. 3 të Gjykatës së Apelit të Tiranës. Në sallë ndodheshin katër persona: Gjon Shkambi, nipi i tij Elvis Shkambi, dhe dy të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj. Këta të katër ndodheshin aty për të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes nga gjyqtari Kalaja.
Pasi gjyqtari shpalli vendimin, një incident tragjik ndodhi. Elvis Shkambi, i cili ndodhej në sallë, nxorri një armë zjarri dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Si pasojë, gjyqtari u rrëzua në tokë. Pas këtij veprimi, Elvis Shkambi i drejtoi armën edhe dy të pranishmëve, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët tentuan të largoheshin nga salla. Ai i qëlloi ata, por pa i plagosur.
Pasi kreu këtë akt të dhunshëm, Elvis Shkambi i dorëzoi pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe u largua nga godina. Ai u kap në flagrancë nga policia, e cila ishte mobilizuar menjëherë. Gjatë operacionit, autoritetet konfiskuan armën e krimit, një pistoletë tip “Welt Waffen W. Germany, Cal.765 mm, Browning”, e cila kishte një fishek të ngarkuar dhe dy të tjerë në krehër, gati për përdorim.
Po ashtu, në parkingun pranë Xhamisë së Namazgjasë, policia ka zbuluar automjetin “Mercedes-Benz” të Gjon Shkambit, ku janë sekuestruar gjithsej 31 fishekë manovër kalibri 9 mm.
Për këtë ngjarje, ndaj Elvis Shkambit janë ngritur akuza të rënda, përfshirë “vrasje e funksionarëve publik”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtja pa leje e armëve”. Ky akt i dhunshëm ka sjellë një alarm të madh për sigurinë në institucionet e drejtësisë dhe ka rritur shqetësimet lidhur me mundësinë e përhapjes së aktëve të dhunshme nëpërmjet përdorimit të armëve në ambientet e gjykatave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


