Si u mor peng biznesmeni për t’u tërhequr nga gara e tenderave
Zbardhen detaje të reja nga aksioni i SPAK
Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar urdhër-arreste dhe po zhvillon aksione të mëdha në lidhje me një skandal të dyshuar të tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në fokus të hetimeve janë tenderët për mirëmbajtjen e thesarit të shtetit dhe për administrimin e dosjeve gjyqësore, ku dyshohet për favorizime dhe manipulime sistematike.
Biznesmeni Gerond Meçe dyshohet se është rrëmbyer dhe detyruar të tërhiqet nga gara për tendera, ndërsa Hava Delibashi dhe Mirlinda Karçanaj janë dërguar në masën e arrestit shtëpiak. Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, së bashku me disa anëtarë të policisë, dyshohet se kanë bashkëpunuar në këto veprime, duke përfshirë shantazhe dhe dhunë ndaj personave të përfshirë në procedurat e tenderimit.
Dhjetëra kontrolle janë ushtruar në banesa dhe biznese të ndryshme, përfshirë edhe aktivitetet e Klajdi Merkjas, i arrestuar më parë në kuadër të organizatës së famëkeqe të “Çopjave”. Nga hetimet rezulton se përmes bizneseve të Merkjas mund të jenë pastruar miliona euro të lidhura me tenderat e AKSHI-t.
Mësohet gjithashtu se Gerond Meçe është detyruar të tërheqë edhe ankimimet pranë komisionit të tenderimeve. Dy tenderët më problematik janë ai për mirëmbajtjen e thesarit të shtetit, ku grupi i dyshuar kishte kontroll mbi transaksionet brenda dhe jashtë vendit, dhe tenderi për administrimin e dosjeve gjyqësore, ku dyshohet se kishte ndikim mbi caktimin e gjyqtarëve dhe ecurinë e seancave.
Hetimet tregojnë gjithashtu se Mirlinda Karçanaj ka favorizuar kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa një jaht është blerë në emër të një shtetaseje 24-vjeçare rumune, e lidhur me Beqirin.
Ky aksion i SPAK vjen pas një hetimi të gjatë, duke zbuluar një skemë të mundshme kriminale që përfshin pengmarrje, dhunë dhe shantazh për përfitime të padrejta në tenderat publikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



