Si u ngrit pallati i kuq “Tirana Garden Building” nga “pluhuri i bardhë”
Klani “Koçeku” investoi, Ilir Shtufi bëri punimet
Arrestimi në Selanik i biznesmenit Ilir Shtufi ka rikthyer në vëmendje dyshimet për përdorimin e sektorit të ndërtimit në Shqipëri si kanal për pastrimin e parave të drogës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Shtufi dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme të pastrimit të parave, duke vepruar në funksion të Luçiano Koçekut. Hetimet tregojnë se përmes një sërë veprimesh si shitje dhe tjetërsime fiktive, janë integruar të ardhura nga aktiviteti kriminal në kompani ndërtimi si “Nova Construction” dhe “LTD”.
Një nga projektet më të përfolura është “Garden Building” në Rrugën e Kavajës në Tiranë, një ndërtesë që ka tërhequr vëmendjen për arkitekturën e saj të pazakontë dhe vlerën e lartë në treg. Me një sipërfaqe prej rreth 62 mijë metrash katrorë, investimi minimal për ndërtimin e saj vlerësohet në dhjetëra miliona euro, ndërsa në treg vlera mund të arrijë deri në 200 milionë euro.
Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Erjon Alibej, një pjesë e konsiderueshme e financimit të kësaj ndërtese është bërë në mënyrë informale, me para cash që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal. Ai ka përshkruar mënyrën se si, duke nisur nga viti 2020, paratë e drogës filluan të depërtojnë masivisht në tregun e ndërtimit në Tiranë, duke u materializuar në projekte të mëdha dhe shpesh ikonike.
Hetimet sugjerojnë se Ilir Shtufi, i përballur me borxhe dhe probleme ligjore, ka gjetur mbështetje tek Koçeku, çka i ka mundësuar zgjidhjen e këtyre problemeve dhe vazhdimin e aktivitetit. Sipas dëshmive, ndikimi i Koçekut ishte i tillë që shmangte edhe presionet nga grupe kriminale të tjera.
Prokurorët besojnë se Koçeku ka nisur aktivitetin kriminal që në fund të viteve 2000, fillimisht në Angli, për të kaluar më pas në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine drejt Evropës. Fitimet e mëdha të krijuara nga ky aktivitet dyshohet se janë investuar në sektorin e ndërtimit, kryesisht pas vitit 2017.
Një rol kyç në zbulimin e këtij rrjeti kanë luajtur komunikimet e kapura në platformën Sky ECC nga autoritetet ndërkombëtare, të cilat sugjerojnë përpjekje të organizuara për pastrim parash përmes kompanive të ndërtimit.
Përveç “Garden Building”, hetimet kanë identifikuar edhe disa projekte të tjera në Tiranë ku janë vendosur masa sekuestroje, përfshirë ndërtesa në zonat Mine Peza, Stavri Themeli dhe Dritan Hoxha, ku janë bllokuar dhjetëra apartamente.
Ndërkohë, bumi i ndërtimit që përfshiu Tiranën dhe zonat bregdetare pas vitit 2018 ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi burimin e financimeve. Edhe pse disa raste janë dokumentuar nga prokuroria, qeveria ka hedhur poshtë akuzat për përhapjen e fenomenit të pastrimit të parave në këtë sektor, duke i konsideruar si të pabazuara.
Megjithatë, zhvillimet e fundit dhe hetimet në vazhdim pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë fenomen dhe lidhjet e mundshme mes krimit të organizuar dhe industrisë së ndërtimit në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



