E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sistemet e artilerisë amerikane ‘blindojnë’ ushtrinë e Kosovës
Bota

Sistemet e artilerisë amerikane ‘blindojnë’ ushtrinë e Kosovës

Kosova forcon ndjeshëm kapacitetet ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Në një reagim në Facebook, Maqedonci e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm strategjik, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës po hyn në një fazë të re zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit dhe të aftësive për qitje në distanca të gjata.

Sipas njoftimit zyrtar të AM General në faqen e saj të internetit, Kosova pritet të marrë sistemet e para brenda dy vjetëve të ardhshme. Marrëveshja është trivjeçare dhe, përveç sistemeve të artilerisë së lëvizshme, përfshin edhe pajisje mbështetëse si ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe mjete të tjera logjistike, që mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte.

Zëvendëspresidenti ekzekutiv i AM General për Zhvillim Biznesi, John Chadbourne, u shpreh se kjo marrëveshje dëshmon përkushtimin e kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake të Kosovës.

Sistemi HUMVEE Hawkeye 105 mm është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila lejon montimin e një topi 105 mm mbi platformën HUMVEE, duke garantuar lëvizshmëri të lartë dhe reagim të shpejtë në terren. Sistemi mund të vendoset, të qëllojë dhe të zhvendoset në më pak se 90 sekonda, çka rrit ndjeshëm mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik krahasuar me sistemet tradicionale të tërhequra.

Vitet e fundit, Kosova ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e armatosjes, kryesisht përmes blerjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, duke përfshirë raketa dhe dronë luftarakë. Kjo nuk është kontrata e parë mes Kosovës dhe AM General, pasi në vitin 2018, në vend mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane të tipit Humvee.

Kosova ndodhet në procesin e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, një proces që nisi në vitin 2018 dhe pritet të zgjasë rreth dhjetë vjet. Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetëse të këtij transformimi, ndërsa NATO ka mbajtur një qëndrim më rezervuar, duke kërkuar që FSK-ja të fokusohet në detyrat fillestare si reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile.

Ndërkohë, Kosova synon që, së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë, të realizojë blerje të përbashkëta të armëve amerikane. Buxheti për sektorin e mbrojtjes është rritur ndjeshëm dhe për vitin aktual arrin në 207.8 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.