E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“S’jeni pasardhës të Aristotelit”, ministri grek “telendis” Ramën
Bota

“S’jeni pasardhës të Aristotelit”, ministri grek “telendis” Ramën

“Ke problem serioz psikologjik, ndoshta pasojë e rinisë”

Një deklaratë provokuese e Kryeministrit Edi Rama, sipas së cilës grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit, ka shkaktuar reagime të forta në Athinën zyrtare dhe në opinionin publik grek.

Pas polemikave të para, ka reaguar edhe ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, i cili ka sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin shqiptar me tone të ashpra.

Në një deklaratë për median greke Newsbomb, Georgiadis u shpreh se Rama, sipas tij, ka “një problem serioz psikologjik me Greqinë”.

“Zoti Rama, për fat të keq, ka një problem serioz psikologjik me Greqinë. Ndoshta kur erdhi në Greqi si emigrant i paligjshëm, si një piktor i varfër, pas rënies së regjimit të Hoxhës, dikush nuk e trajtoi mirë. Në këtë kuptim, ai ka mirëkuptimin tonë”, deklaroi ministri grek.

Më tej, Georgiadis shtoi se historia duhet t’u lihet historianëve, ndërsa Rama, sipas tij, duhet të fokusohet më shumë te historia e Shqipërisë.

“Le t’ia lëmë historinë historianëve. Zoti Rama le të merret me historinë e vendit të tij, që nga Skënderbeu, dhe le t’i lërë të qetë Aristotelin dhe Aleksandrin e Madh”, u shpreh ai.

Reagimi i Athinës vjen pas një përplasjeje verbale të Kryeministrit Rama me gazetarin greko-amerikan John Defterios, gjatë së cilës Rama reagoi ashpër pasi gazetari i shqiptoi gabim emrin.

“Nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon”, i tha Rama Defteriosit, duke tensionuar bisedën. Gazetari u përpoq të ulte tonet, duke përmendur një investim prej rreth 1 miliard eurosh në Shqipëri, por kryeministri këmbënguli se shifra ishte më e lartë.

“Është mbi një miliard. Ju i bëni llogaritë si grekët: kur flisni për paratë tuaja, shtoni tre zero; kur flisni për paratë e të tjerëve, i hiqni tre zero. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ju do kaq shumë”, iu përgjigj Rama.

Deklaratat kanë ndezur debate të reja në raportet Shqipëri–Greqi, duke rikthyer në vëmendje tensionet verbale mes zyrtarëve të lartë të dy vendeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.