Skandal me ‘Start Up-et’, si po zhduken milionat me projekte fantazëm
Skema e riciklimit të përfituesve
Paratë publike qarkullojnë në të njëjtin rreth, ndërsa “idetë” mbeten vetëm në letër
Nëse mendoni se fondet më të mëdha publike shpërndahen vetëm përmes tenderave dhe koncesioneve, një tjetër skemë me miliona lekë në qarkullim po kalon më pak në vëmendje: financimi i start-up-eve. Edhe këtu, të dhënat tregojnë një model të përsëritur përfituesish, projekte që ndryshojnë vetëm emrin dhe fonde që rikthehen te të njëjtët individë.
Fondi i vitit 2026, me vlerë 535 milionë lekë (rreth 5.35 milionë euro), u prezantua si një nxitje për inovacionin, teknologjinë dhe sipërmarrjen e re. Por një analizë e listave të fituesve për vitet 2024, 2025 dhe 2026 zbulon një realitet tjetër: një rreth i ngushtë përfituesish që rikthehen çdo vit në skemë.
Nga krahasimi i listave rezulton se disa start-up-e janë financuar në mënyrë të përsëritur. Të paktën shtatë prej tyre kanë përfituar fonde si në vitin 2024, ashtu edhe në 2025: Space 05 (në 2024 si “Destil – Space 05”), Kungul (në 2024 si “Kungul App”), Axiom Breach, Komuniteti, Autokorrektori i Gjuhës Shqipe, B2Balkan dhe List Albania. Ndërkohë, në krahasimin mes 2025 dhe 2026, emra si MedWallet, Axiom Breach, B2Balkan, Autokorrektori i Gjuhës Shqipe, Komuniteti dhe VLEPA shfaqen sërish si fitues.
Një praktikë e dukshme është ndryshimi formal i emrit të projektit, ndërsa NIPT-i dhe pronarët mbeten të njëjtë. Emil Andoni përfitoi në vitin 2025 me “e-Health Albania” dhe në 2026 me “eDoktor”, nën të njëjtin subjekt, pa një produkt funksional në treg.
I njëjti model shfaqet te Gregor Andoni (“GrAnD Industries” në “GrAnD Creative Industries”), Fatjon Gjata (“Brisk Square” në “Outerlynx”), Meivis Struga (“EKOFUNGI Albania” në “ESI Projects”) dhe Aldi Lekaj (“ATA” në “ECN Partners”).
Pra, në vend të inovacionit real, dokumentet sugjerojnë një mekanizëm të thjeshtë: ndryshohet emri, ruhet përfituesi dhe vijon financimi.
Rastet konkrete të projekteve të financuara e thellojnë më tej këtë dyshim. Kompania “Tana Zone”, e krijuar në korrik 2025 me kapital minimal prej 100 mijë lekësh, pa aplikacion dhe pa faqe interneti, përfitoi 4.6 milionë lekë në “Fazën e Zgjerimit”, një fazë që kërkon prezencë të provuar në treg.
Edhe më domethënës është rasti i “Marigo Marketplace”. Ky projekt mori 3.5 milionë lekë në vitin 2024 dhe 6.8 milionë lekë në vitin 2026, duke arritur në 10.3 milionë lekë në total. Aktualisht, aplikacioni nuk ekziston në Google Play, nuk gjendet në App Store dhe faqja zyrtare është jashtë funksioni. Pra, një projekt i financuar dy herë me para publike nuk ekziston më.
“Marigo” zotërohet nga bashkëshortja e Genti Selenicës, i cili është gjithashtu pronar i “Baboon”, një tjetër përfitues i fondit, një biznes që operon prej vitesh dhe vështirë se mund të konsiderohet start-up në fazë fillestare.
Në listën e pikëpyetjeve shtohet edhe “Onemor” SHPK. Thirrja “Grant 2026” u hap më 17 shkurt 2026, ndërsa kompania u themelua më 20 shkurt 2026. Vetëm katër muaj më pas, ajo u shpall fituese në Fazën e Zgjerimit, duke përfituar 6.13 milionë lekë, ndonëse rregullorja kërkon të paktën një bilanc tatimor të vitit paraardhës – një kriter i pamundur për një kompani të sapokrijuar.
Nëse do të aplikonte në Fazën 1, kjo kompani do të kishte një kufi maksimal financimi prej 1.5 milionë lekësh. Përfshirja në Fazën e Zgjerimit i mundësoi mbi 4.6 milionë lekë më shumë.
Ndërkohë, procesi i vlerësimit mbetet i paqartë. Pikëzimi i projekteve, kriteret e përzgjedhjes dhe verifikimet në terren nuk janë transparente. Agjencia Kombëtare e Startup-eve, e drejtuar nga Arjan Ymeri, operon nën varësinë e drejtpërdrejtë të ministres Delina Ibrahimaj, ndërsa në dalje publike shfaqet përkrah përfituesve të përsëritur si Arben Oshafi i “B2Balkan”.
Në vend që fondi të shërbejë për të mbështetur ide të reja dhe inovacion real, të dhënat tregojnë një tjetër realitet: riciklim të të njëjtëve përfitues, projekte që ndryshojnë vetëm në emër dhe para publike që qarkullojnë brenda të njëjtit rrjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco









