E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandal me Tunelin e Skarficës, 20 milionë euro të harxhuara
Lajme

Skandal me Tunelin e Skarficës, 20 milionë euro të harxhuara

Mungon  sistemi i  mbrojtjeje nga zjarri

Rrugët publike në Shqipëri vijojnë të shndërrohen në burime pasurish për oligarkët e ndërtimit, ndërsa qytetarët mbeten përballë rrezikut dhe faturave të fryra. Tuneli i Skarficës, pjesë e segmentit Kardhiq–Delvinë, është një shembull tipik.

Ndërtimi i tij nisi vite më parë dhe u përurua në vitin 2022, mes bujës propagandistike dhe akuzave të shumta për abuzime. Tenderi i lotit 7, që përfshinte ndërtimin e tunelit, u çua deri në SPAK, ku ish-drejtoresha e Rrugëve, Sonila Qato, u hetua për shpërdorim detyre. Dyshohej se kishte favorizuar një kompani tjetër, por pas ankimimeve, kontrata prej 20 milionë euro përfundoi në duart e firmës “Gjoka” të oligarkut Rrok Gjoka.

Tre vite pas përurimit, kreu aktual i ARRSH-së, Tan Agolli, ka zbuluar një mangësi skandaloze: Tuneli i Skarficës nuk ka sistem mbrojtjeje nga zjarri. Një mungesë që vë në rrezik jetën e udhëtarëve dhe që e bën qesharake faktin se tani duhet të shpenzohen edhe 800 mijë euro shtesë për të vendosur diçka që duhej të ishte pjesë e projektit bazë.

ARRSH ka hapur një tender të ri për “krijimin e qendrës së MZSH dhe instalimet për mbrojtjen nga zjarri në tunelin Kardhiq–Delvinë”. Por ky zhvillim ngre pyetje thelbësore:

  • Pse nuk u përfshi sistemi i mbrojtjes që në projektin origjinal?
  • Kush mban përgjegjësi për këtë dështim – zyrtarët e sotëm, apo ata që përuruar me bujë një vepër të papërfunduar?
  • A do të hetohet kompania “Gjoka”, e cila prej vitesh kontrollon tenderët e rrugëve me tunele, përfshirë edhe atë të Llogarasë në partneritet me një firmë turke?

Ky rast ekspozon mënyrën sesi paratë e taksapaguesve shpërdorohen dy herë: një herë për një ndërtim të paplotë, dhe një herë tjetër për të “rregulluar” gabimet e lëna qëllimisht.

Në vend që të garantojë siguri për qytetarët, shteti është kthyer në një bankomat për oligarkët e rrugëve. Një hetim i plotë është i domosdoshëm, jo vetëm për të gjetur fajtorët, por edhe për të ndalur këtë praktikë kriminale të ndërtimit të veprave publike me mangësi që rrezikojnë jetë njerëzish.

Tuneli i Skarficës nuk është thjesht një dështim teknik, por një tjetër monument i korrupsionit në infrastrukturën shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.