Skandal në Policinë e Shkodrës, ish-drejtori me dron privat në operacione sekrete
Një raport i agjencisë së mbikëqyrjes policore ka nxjerrë në pah shkelje serioze të procedurave nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, i cili dyshohet se ka përdorur një dron privat gjatë operacioneve zyrtare.
Sipas dokumentit, pajisja ajrore pa pilot nuk rezulton e regjistruar apo e inventarizuar si aset i Policisë së Shtetit, megjithëse është përdorur në disa aksione të rëndësishme në terren. Ky fakt përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rregullave të përcaktuara për administrimin dhe përdorimin e pajisjeve të tilla.
Raporti detajon se droni është përdorur për mbikëqyrje ajrore të banesave të personave në kërkim, si dhe në operacione kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonat e Vaut të Dejës, Velipojës dhe Shkodrës.
Një ndër elementët më problematikë të konstatuar lidhet me menaxhimin e materialeve të regjistruara. Pas përfundimit të operacioneve, pamjet filmike janë shkarkuar nga pajisja, ndërsa karta e memories është mbajtur bashkë me dronin, pa u administruar sipas procedurave zyrtare të Policisë së Shtetit.
Sipas dëshmive të punonjësve të policisë, pajisja ishte në përdorim të drejtpërdrejtë nga Gentian Berberi dhe më 22 qershor 2026 i ishte dorëzuar atij në Komisariatin e Policisë në Vau të Dejës.
Në përfundim, raporti arrin në konkluzionin se përdorimi i dronit është kryer në kundërshtim me Procedurën Standarde të Punës për pajisjet ajrore pa pilot, për shkak se nuk ishte pjesë e inventarit zyrtar dhe nuk janë respektuar detyrimet për regjistrimin dhe dokumentimin e tij.
Ndërkohë, ndaj ish-drejtuesit është nisur edhe procedim disiplinor për sjellje të papërshtatshme gjatë dorëzimit të detyrës dhe komunikimit me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



