Dyshimet për përjashtim të paligjshëm dhe shkelje kontrate
Tensionet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës po marrin përmasa gjithnjë e më serioze. Kompania “Mabco Construction”, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe aksionere kryesore në shoqërinë koncesionare VIA, ka dalë me akuza të drejtpërdrejta ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e cilësuar qëndrimin e saj si të njëanshëm dhe në shkelje të hapur të ligjit.
Në një shkresë zyrtare drejtuar zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, me dijeni edhe kryeministrin Edi Rama, Mabco ngre shqetësime të forta lidhur me një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në kantierin e aeroportit. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të MIE-s, Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol, si dhe kompania “2A Group” e Valon Ademit, aksioner minoritar me 2% të aksioneve në VIA.
Sipas Mabco-s, mbledhja është zhvilluar në mënyrë të njëanshme dhe përbën një precedent të rrezikshëm, pasi është përjashtuar aksioneri mazhoritar që zotëron 98% të projektit dhe ka investuar deri më tani rreth 80 milionë euro. Kompania e cilëson këtë veprim si cenim të rëndë të parimeve të bashkëpunimit dhe të kontratës së koncesionit.
Në letër thuhet se përfaqësuesi i Mabco-s dhe konsulent për certifikimin e aeroportit, Afrim Aziri, është ndaluar fizikisht të marrë pjesë në takim, me arsyetimin se ishte “i padëshiruar” për shkak të lidhjes së tij me kompaninë. E njëjta situatë, sipas pretendimeve, ka ndodhur edhe me drejtorin e projektit të Mabco-s, Fadil Neziri, i cili megjithëse dispononte prokurë të rregullt përfaqësimi, është larguar nga mbledhja pa asnjë kundërshtim nga institucionet shtetërore të pranishme.


Mabco e konsideron këtë sjellje si shkelje flagrante të ligjit dhe të marrëveshjes koncesionare, duke akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me aksionerin e pakicës. Sipas saj, fakti që takimi u zhvillua në ambientet e “2A Group” në kantierin e aeroportit dëshmon një qasje të paragjykuar dhe përjashtuese ndaj investitorit kryesor.
Kompania kërkon përsëritjen e menjëhershme të mbledhjes me praninë e të gjithë aksionerëve dhe garantimin e një procesi transparent, në përputhje me ligjin dhe kontratën. Në të kundërt, Mabco paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, administrative, civile dhe penale për të mbrojtur investimin dhe interesin publik.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për këto akuza. Konflikti mes ortakëve të aeroportit vijon prej muajsh edhe në gjykatë. Aktualisht, struktura e pronësisë parashikon 98% të aksioneve për Mabco dhe 2% për Valon Ademin, i cili pretendon se për shkak të investimeve të kryera i takon një pjesë më e madhe, deri në 47% të aksioneve.
Për këtë çështje ka nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa SPAK ka bërë të ditur se po verifikon procedurat e ndjekura në dhënien e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.







