Publik.al
Në Shqipërinë ku energjia duhet të sjellë zhvillim, ajo po prodhon pasuri për klientelën e një grushti të lidhur me pushtetin. Në qendër të kësaj perandorie qëndron Belinda Balluku, ose siç e quajnë: ‘Bela Mafia’.
Skema: Nga emigrantë hallëxhinj në “investitorë strategjikë” të diellit
Në vitin 2020, një kompani me emrin GREEN PLUS ENERGY ngrihet në mënyrë krejtësisht të heshtur. Aksionerja kryesore? Eva Kjaer, një shtetase shqiptare me banim jashtë vendit, me profesion kuzhiniere. Bashkë me të, si administrator emërohet Gjergj Pano, vëllai i gruas së njërit prej njerëzve më të fuqishëm të sektorit ajror – Drejtorit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj.


Ky i fundit, mik personal dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ministres Belinda Balluku, rezulton i lidhur drejtpërdrejt me këtë kompani. Një kompani që nuk ka tokë, nuk ka përvojë, nuk ka asnjë të ardhur… por merr kontrata energjetike me firmë të Ballukut dhe miratim zhvillimor me shpejtësi rekord nga KKT.
Nga kuzhina në miliona euro në energji diellore
Në prill 2023, Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Balluku miraton kontratën për ndërtimin e një impianti diellor 2 MW në Topojë, Fier – pikërisht aty ku Balluku drejton fushatën elektorale. Brenda 1 muaji, KKT firmos lejen e zhvillimit. Dhe dy muaj më vonë, Eva Kjaer shet 40% të kompanisë te firma 4 A-M, për vetëm 40 mijë lekë.
Pse ka rëndësi kjo? Sepse bilancet zyrtare të GREEN PLUS ENERGY tregojnë për një huadhënie prej 34.5 milionë lekësh (rreth 340 mijë euro) që rezulton të jetë “dhuratë” nga 4 A-M.
Çmimi qesharak i tokës: 120 euro/muaj për 3 hektarë
Kompania ka marrë 30,000 m² tokë publike me qira nga Bashkia Fier për vetëm 121,000 lekë në vit – rreth 120 euro në muaj. Toka është e pa kategorizuar si ndërtimore – pra nuk lejohet ndërtimi i një centrali fotovoltaik, sipas ligjit. Por për “shoqërinë” e Ballukut, edhe rëra kthehet në ar.
Lidhjet me tenderat e shtetit: Paratë vijnë nga lart
Ndërsa kompania 4 A-M shfaqet si “shpëtimtare” për GREEN PLUS ENERGY, ajo vetë përfiton në mënyrë të dyshimtë 3 tendera me vlerë 500 mijë euro nga ANTA – Agjencia e Trajtimit të Trafikut Ajror, pikërisht në kohën kur Maksim Et’hemaj ishte drejtor i drejtorisë teknike të ANTA.
Të gjitha tenderat janë pa garë, me flamuj të kuq në sistemin e prokurimeve.
Si funksionon mekanizmi i pastrimit institucional
1. Familjarët e drejtorëve emigrantë kthehen në Shqipëri dhe themelojnë kompani fantazmë.
2. Ministria e Infrastrukturës i furnizon me leje, kontrata, dhe tokë publike.
3. Kompanitë mike (si 4 A-M) injektojnë kapital, që më pas “shlyhet” me tendera publikë.
4. Investimi kthehet në përfitime të mbrojtura nga partia, në emër të familjarëve.
Pyetjet që SPAK duhet të bëjë:
• Si mundet një kompani pa aktivitet dhe tokë në pronësi të marrë kontratë fotovoltaike me miratim urgjent?
• A janë kontratat e tenderimit me 4 A-M në konflikt interesi me pozicionin e mëparshëm të Et’hemaj?
• Pse Bashkia Fier jep toka shtet për 120 euro në muaj për projekte energjetike milionëshe?
• Kush e financoi realisht GREEN PLUS ENERGY dhe pse?
Kjo nuk është investim – kjo është plaçkë me firmë shteti.
Ndërsa qytetarëve u thonë se Shqipëria po bëhet superfuqi energjetike, në prapaskenë shteti kthehet në një lavatriçe e legalizuar për oligarkë të vegjël të rritur në rrethin e Ballukut.
Nga kuzhina në koncesion, nga emigracioni në pushtet ekonomik – gjithçka me firmë, vulë dhe leje shtetërore të “Lubi Ballukut”.