Skandali i Konkurseve në Dogana – Meritokraci apo Favorizim?
Akuza të rënda mbi Administratën Publike
Një denoncim i fortë ka mbërritur në redaksinë tonë, duke goditur Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Departamentin e Administratës Publike (DAP). Një punonjëse me 12 vite eksperiencë në këtë sistem, hedh dritë mbi një skemë të dyshuar ku konkurset publike po kthehen në procedura të mbyllura. Sipas saj, ndërsa punonjësit me karrierë skualifikohen për “gabime formale”, postet kyçe po rezervohen për emra të lakuar në skandale, hetime administrative dhe dyshime për kontrabandë.
Denoncimi fokusohet në disa shpallje konkrete që ngrenë pikëpyetje të mëdha:
* Shpallja 7587 (Përgjegjës Turni): Janë kualifikuar Donald Dikollari dhe Flobenc Guxho. Për Dikollarin denoncohet një pezullim i mëparshëm për shkelje etike, ndërsa Guxho rezulton i lakuar në dosje për shpërdorim detyre dhe kontrabandë mallrash.
* Shpallja 7588: Kualifikohet Theodhor Naçi, emër i përmendur në raportimet mediatike për operacionin “Rinas Ekspres”, lidhur me hetimet për kontrabandë.
* Shpallja 7608 (Specialist): Kualifikohet Merilda Veliu. Denoncimi ngre dyshime për konflikt interesi dhe nepotizëm, duke vënë në dukje lidhjen familjare me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ajo që shqetëson më shumë është fakti se në shumë konkurse rezultojnë të kualifikuar vetëm 1 ose 2 kandidatë. Denoncuesja akuzon se kriteret hartohen në mënyrë kaq të ngushtë sa të favorizojnë emra të paracaktuar, duke bllokuar konkurrencën reale. Sipas saj, kjo praktikë po asgjëson parimin e meritokracisë në një institucion me rëndësi jetike për buxhetin e shtetit.
“Ndihet një padrejtësi e thellë,” thotë denoncuesja, e cila shton se punonjësit e vjetër ndjehen të demoralizuar përballë kësaj arrogance administrative. Kërkesa është e qartë: Transparencë e plotë mbi dokumentacionin, publikimi i kritereve të vërteta të vlerësimit dhe një hetim i pavarur mbi rolin e DAP-it në këto emërime.
Kur Dogana, institucioni që duhet të luftojë paligjshmërinë, dyshohet se promonvon individë me dosje administrative e hetimore, pyetja që mbetet është: Kush po e ruan vërtet kufirin dhe arkën e shtetit?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco








