Skandali me të miturat në Fier, policia zbardh dinamikën e ngjarjes
Një ngjarje që ka shkaktuar reagim të gjerë publik pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale vijon të jetë në fokus të autoriteteve në Fier. Përmes një reagimi zyrtar, Policia vendore ka sqaruar në detaje hapat e ndjekur dhe veprimet e kryera lidhur me rastin që përfshin disa të mitura.
Sipas të dhënave, më 8 qershor 2026, një vajzë 17-vjeçare është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, e shoqëruar nga nëna e saj, ku ka denoncuar se ishte dhunuar fizikisht dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje. Në këtë episod, sipas kallëzimit, kanë qenë të përfshira edhe dy vajza të tjera, të dyja 15 vjeç.
Pas marrjes së denoncimit, strukturat policore kanë reaguar menjëherë duke nisur veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë. Gjatë procedurave, tre të dyshuarat janë shoqëruar dhe kanë pranuar përfshirjen në dhunimin e bashkëmoshatares së tyre, duke e justifikuar aktin me motive të dobëta.
Materialet procedurale janë referuar në organin e akuzës më 9 qershor 2026, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të tre të rejave të përfshira.
Ndërkohë, zhvillime të reja janë regjistruar më 28 qershor 2026, kur njëra nga 15-vjeçaret është vënë në pranga. Arrestimi erdhi pas një kallëzimi të bërë nga nëna e saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza, duke pësuar dëmtime fizike.
Pas vlerësimit të situatës nga institucionet përgjegjëse, e mitura është dërguar për trajtim të specializuar në një institucion të shëndetit mendor në Tiranë.
Policia e Fierit thekson se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje të plotë me ligjin dhe në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë, e cila do të vijojë procedimin penal për këtë çështje.
Autoritetet ritheksojnë angazhimin maksimal për trajtimin serioz të çdo rasti që prek sigurinë publike, sidomos kur përfshihen të mitur, duke garantuar profesionalizëm dhe paanshmëri në çdo hap të procesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



