Skandali në Korçë/ 668 milionë lekë borxhe, gjysma e investimeve mbeten në letër
Kaos me taksat dhe pronat
Një sërë problematikash serioze në administrimin financiar dhe menaxhimin e pasurive publike janë evidentuar në Bashkinë e Korçës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raporti i auditimit nxjerr në pah mosrealizimin e investimeve të planifikuara, mangësi në mbledhjen e taksave dhe tarifave vendore, borxhe të akumuluara prej qindra milionë lekësh dhe pasaktësi në regjistrimin e pronave publike.
Shifrat e raportit tregojnë se bashkia ka realizuar më pak se gjysmën e investimeve të parashikuara për periudhën e audituar, ndërsa edhe treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore paraqesin diferenca të konsiderueshme nga objektivat e vendosura.
Vetëm 49% e investimeve të planifikuara, mbeten pa u realizuar 215 milionë lekë
Sipas auditimit, nga 418 milionë lekë të parashikuara për investime, Bashkia Korçë ka realizuar vetëm 203.3 milionë lekë, ose rreth 49% të planit. Për pasojë, rreth 215 milionë lekë investime kanë mbetur të parealizuara.
KLSH e lidh këtë situatë me vonesat në procedurat administrative, problematikat që lidhen me shpronësimet, mungesën e financimeve të parashikuara dhe shtyrjen e projekteve shumëvjeçare.
Audituesit kanë konstatuar se bashkia ka planifikuar projekte mbi bazën e pritshmërive financiare që nuk janë realizuar gjatë vitit, pa përshtatur në kohë programin e investimeve me burimet reale të disponueshme.
Problematika nuk kufizohet vetëm te investimet. Edhe realizimi i përgjithshëm i buxhetit ka mbetur në nivelin 79%. Nga 3.39 miliardë lekë të planifikuara, janë shpenzuar 2.69 miliardë lekë, duke lënë rreth 701 milionë lekë të parealizuara.
347 milionë lekë më pak nga taksat dhe tarifat, borxhi arrin në 668.4 milionë lekë
Një tjetër pikë e dobët e administrimit financiar të Bashkisë Korçë rezulton mbledhja e të ardhurave vendore.
Për vitin 2025 ishin parashikuar 1.23 miliardë lekë të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore, por në arkën e bashkisë janë mbledhur vetëm 891 milionë lekë. Diferenca nga plani arrin në rreth 347 milionë lekë.
Situata është edhe më problematike në disa kategori të veçanta. Taksat vendore janë realizuar në masën vetëm 52%, ndërsa taksa e ndikimit në infrastrukturë ka arritur një nivel arkëtimi prej vetëm 34%.
Përveç mosrealizimit të objektivave, raporti evidenton edhe një stok të konsiderueshëm detyrimesh të papaguara. Borxhi i akumuluar nga taksat dhe tarifat vendore ka arritur në 668.4 milionë lekë, me një rritje prej 35.6 milionë lekësh vetëm gjatë vitit 2025.
Nga detyrimet totale, 324.8 milionë lekë u përkasin bizneseve, ndërsa 343.6 milionë lekë familjarëve.
Një problem i veçantë lidhet me 772 biznese që rezultojnë me status pasiv, të pezulluar ose në proces çregjistrimi. Sipas auditimit, këto subjekte kanë lënë pas rreth 105 milionë lekë detyrime të papaguara.
KLSH ka vënë në dukje se një pjesë e konsiderueshme e borxheve të bizneseve datojnë prej më shumë se pesë apo dhjetë vjetësh, ndërsa veprimet e administratës bashkiake për mbledhjen e tyre nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Edhe taksa e tokës bujqësore paraqet problematika të konsiderueshme. Në raport rezultojnë 10,641 familje debitore, me detyrime të akumuluara që kapin vlerën e rreth 96 milionë lekëve.
Mijëra prona në administrim, por vetëm një pjesë e vogël me certifikatë pronësie
Mangësi të rëndësishme janë evidentuar edhe në administrimin e pronës publike. Sipas raportit, Bashkia Korçë ka në administrim gjithsej 2,222 prona, nga të cilat 1,965 janë në pronësi dhe 257 në përdorim.
Megjithatë, dokumentacioni i pronësisë paraqet një situatë problematike. Nga 1,965 pronat në pronësi të bashkisë, vetëm 279 janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa 47 të tjera vijojnë të jenë në proces certifikimi.
Por problematikat nuk përfundojnë këtu. Edhe 279 pronat që kanë certifikatë pronësie nuk janë pasqyruar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale, pasi administrata bashkiake nuk ka përcaktuar vlerën e tyre financiare.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu pasaktësi në klasifikimin e pasurive publike. Konkretisht, 84 objekte me vlerë 20.3 milionë lekë janë regjistruar gabimisht si pyje dhe kullota.
Një tjetër parregullsi lidhet me 10 objekte të ujësjellës-kanalizimeve, me vlerë 38.9 milionë lekë, të cilat vijonin të figuronin në bilancin e bashkisë, ndonëse duhej të ishin çregjistruar pas transferimit te shoqëria e ujësjellësit.
Pikërisht për shkak të këtyre pasaktësive materiale, KLSH ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Bashkisë Korçë.
Mangësi në kontrollin e brendshëm, 23 gjetje dhe 26 rekomandime nga KLSH
Raporti evidenton dobësi edhe në mekanizmat e kontrollit të brendshëm të institucionit. Sipas audituesve, në bashki nuk ishte ngritur Komiteti i Auditimit, ndërsa në planin e kontrolleve nuk ishin përfshirë disa prej fushave me risk të lartë, si prokurimet publike dhe lejet e ndërtimit.
Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar gjithsej 23 gjetje dhe ka lënë 26 rekomandime për përmirësimin e administrimit financiar dhe menaxhimit të pasurive publike.
Mes detyrave të kërkuara nga KLSH janë korrigjimi i pasaktësive në pasqyrat financiare, regjistrimi i pronave publike, forcimi i mekanizmave për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura dhe hartimi i planeve realiste për investimet.
Gjetjet e auditimit ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë administruar fondet publike, të ardhurat dhe pasuritë e Bashkisë Korçë, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë masash konkrete do të ndërmerren nga drejtuesit e institucionit për zbatimin e rekomandimeve dhe korrigjimin e problematikave të konstatuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



