Skandali/ Punonjësja e postës përvetëson mijëra lekë, përdori llogarinë e koleges
Një punonjëse e degës postare në Elbasan është vënë nën procedim penal, pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke përvetësuar në mënyrë të paligjshme para nga pagesat që kryhen për qytetarët në këtë institucion.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, në qendër të hetimeve është shtetasja me inicialet E.Rr., 48 vjeçe, e cila ishte e punësuar në degën postare të qytetit. Autoritetet dyshojnë se ajo ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme një shumë prej 330 mijë lekësh, duke manipuluar procesin e pagesave që kryhen përmes postës.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se veprimet janë realizuar përmes sistemit elektronik të institucionit, ku e dyshuara dyshohet se ka hyrë duke përdorur kredencialet e aksesit të një kolegeje të saj.
Sipas njoftimit të policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj punonjëses.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen E. Rr., 48 vjeçe, punonjëse e degës postare Elbasan, pasi dyshohet se ka përvetësuar 330 000 lekë nga pagesat që kryhen në postë, duke vepruar në sistemin elektronik të institucionit, me kredencialet e një kolegeje të saj”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje të punonjëses, autoritetet kanë vijuar me veprimet hetimore. Dosja tashmë i është përcjellë Prokurorisë për hetime të mëtejshme, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe verifikimin e dëmit të shkaktuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



