Skema si do funksionojë amnistia fiskale
Pa asnjë kontroll dhe përkundrejt një tarife modeste, emigrantët dhe sipërmarrësit do të kenë mundësi të deklarojnë të ardhurat.
Nisma e cila do të konkretizohet brenda këtij viti do t’i japë mundësi gjithkujt që ka para mënjanë t’i depozitojë ato në bankë. Nëse deri më sot për ta bërë këtë aplikohen disa filtra që shërbejnë si garanci për burimin e të ardhurave, me zyrtarizmin e amnistisë fiskale dhe penale, kjo do të bëhet fare lehtësisht.
Pasi e lancoi në Kongresin e partisë, Kryeministri Rama ka dhënë dje detaje për mënyrën sesi do të bëhet kjo amnisti.
“Amnistia e Përgjithshme fiskale dhe penale, është një domosdoshmëri për t’ju dhënë të gjithë shqiptarëve që prej 30 vitesh kanë punuar dhe jetuar me punë të ndershme, në emigracion apo në vendin tonë, të të gjitha kategorive, mundësinë që të formalizojnë të ardhurat e tyre nga puna, duke formalizuar të gjitha ato të ardhura që nuk i kanë deklaruar për 1001 arsye e duke i futur paratë e tyre në bankat e vendit. Ne do të hapim rrugën e futjes nëpër banka, duke i përjashtuar nga çdolloj kontrolli i çdolloj natyre të regjimit të jetës së përditshme, siç ka ndodhur e siç do të ndodhë pas amnistisë”.
E thënë kështu, skema do jetë në funksion të formalizimit, megjithatë kjo nuk fshin mundësinë e keqpërdorimit të saj. Kreu i Qeverisë bëri të qartë dje se prej saj do të përfitojnë emigrantët, ata që kanë punuar deri më sot në të zezë, si edhe sipërmarrësit vendas. Por cilat do të jenë kategoritë që do të përjashtohen?
“Nga amnistia e përgjithshme fiskale do të përjashtohen kategorikisht të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi. Ashtu sikundër janë të paaministueshme të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit të tyre familjar, të gjykatësve, prokurorëve dhe të rrethit të tyre familjar, të punonjësve të Policisë dhe të rrethit të tyre familjar, si dhe të gjithë atyre drejtues të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive. Për këto kategori, nuk ka amnisti dhe paratë apo asetet e këtyre kategorive, që janë subjekt i deklarimit të pasurive, nuk mundet asnjëherë të legalizohen nëse vijnë nga veprimtaria e paligjshme”, tha Rama. Sipas tij, nisma do të legjitimohet duke marrë 84 vota, duke lënë të kuptohet se do të ketë edhe mbështetjen e opozitës parlamentare. Deklarimi i të ardhurave nuk do të jetë plotësisht një zgjedhje e lirë. Kryeministri la të kuptohej se do të ketë penalitete për ata, të cilët nuk do t’i binden amnistisë.
“Ama me një afat të caktuar dhe mbasi afati i amnistisë mbaron, çdo para dhe çdo aset që është jashtë sistemit të formalizuar, konsiderohet para kriminale dhe aset kriminal dhe trajtohet njësoj si paratë dhe asetet e krimit. Nuk ka më asnjë tolerancë të mundshme nga ana e shtetit”.
DENAJ
Për ministren e Financave, Anila Denaj, nisma synon të përmirësojë një aspekt tjetër drejt formalizimit të ekonomisë, që tashmë ka nisur me procesin e Fiskalizmit. Në hartimin e draftit, vuri në dukje Denaj, do të përfshihen edhe ekspertë të huaj.
“Për qeverinë shqiptare, formalizimi i ekonomisë është një prioritet për zhvillimin e saj, po kështu edhe forcimi i të gjitha masave që merren për të përmirësuar edhe barazinë mes bizneseve. Nga ana tjetër, më lejoni të theksoj se kjo amnisti nuk është për një përfaqësi maxhorance, por për të gjitha bizneset dhe ato nuk kanë ngjyrim politik”. Sipas ministres, kjo nismë do t’i jap frymë edhe kreditimit.
“Sektori bankar është ai që e ndjen më shumë. Ju tashmë e dini se që prej janarit 2018, sektori bankar në kredidhënien e tij punon vetëm me pasqyra financiare dhe ka një ngërç mes këtyre pasqyrave dhe gjendjes reale. Ndaj një gjë e tillë besojmë se do t’i japë një frymëmarrje edhe kreditimit”. Lidhur me tarifat që do të aplikohen, Denaj tha se shifrat janë ende duke u diskutuar, ajo që mund të thuhet është se niveli i tyre do të jetë i ulët për t’i dhënë mundësi gjithkujt të deklarojë asetet.
RINDËRTIMI
Në vëmendjen e Kryeministrit, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, ishte edhe procesi i rindërtimit që do të nisë në zonat e prekura nga tërmeti. Rama tha se pagat e punonjësve nuk do të jenë në nivelin e pagës mesatare, e cila është 420 euro.
“Dua ta bëj me dije se qeveria do të imponojë që kompanitë e ndërtimit të vendosin një pagë për të gjithë ata që do përfshihen në procesin e rindërtimit të barabartë me pagën mesatare që paguhet në Shqipëri, e cila është 420 euro. Do negociojmë me kompanitë dhe do pranojmë të ulemi vetëm në ato raste, kur do të jetë e arsyetuar ulja dhe asnjëherë nuk do pranojmë që kompanitë të paguajnë për punëtorët pagën e sotme minimale, apo diçka mbi pagën minimale”. Me rindërtimin do të hapen edhe kufijtë.
“Falë ligjit që kemi kaluar në këtë Parlament, ne do hapim kufijtë edhe për punonjësit e huaj. Kufijtë kanë qenë të hapur, por ka pasur procedura të tmerrshme burokratike, ndërkohë që tani do u japim mundësi kompanive që të rekrutojnë punonjës të huaj për të ardhur për të punuar në Shqipëri, në rast se kjo do jetë e nevojshme, si pasojë e vendeve të punës që nuk plotësohen me punonjës vendas”, shtoi Kryeministri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



