E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot afati i fundit i aplikimeve, 4 emrat në garë për kreun e SPAK
Lajme

Sot afati i fundit i aplikimeve, 4 emrat në garë për kreun e SPAK

Ditën e sotme, 8 tetor 2025, është afati i fundit për aplikimet për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Prokurori i Strukturës së Posaçme, Elvin Gogaj, dorëzoi aplikimin e tij dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa sot pritet që në garë të hyjnë edhe prokurorët Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.

Pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit më 18 dhjetor, drejtuesi i ri i SPAK-ut do të zgjidhet nga kandidatët që plotësojnë disa kritere kyçe. Ndër më të rëndësishmet janë përvoja në trajtimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, aftësia për të udhëhequr institucionin, si dhe një plan i besueshëm për funksionimin e tij. Gjithashtu, vlerësohet edhe reputacioni profesional i kandidatëve gjatë karrierës.

Pas mbylljes së afatit të aplikimeve, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës ka deri në 10 ditë kohë për të verifikuar nëse kandidatët përmbushin kushtet e nevojshme. Më pas, lista e kandidatëve i paraqitet për miratim mbledhjes plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Zgjedhja e kreut të SPAK-ut bëhet me votim të hapur dhe nominal, ku fiton kandidati që merr numrin më të madh të votave.

-Doloreza Musabelliu

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Doloreza Musabelliu, mban një peshë të kunsiderueshme të çështjeve penale që janë të natyrës së Krimit të Organizuar në SPAK.

Si prokurore e SPAK ajo hetoi dhe çoi në gjyq dosjen e klanit “Çopja” në Elbasan.

Për të vijuar me dosjen penale dhe mjaft voluminoze të “Plumbit të Artë”, ku përveç hetimit tashmë kjo prokurore po përballon thuajse e vetme dhe fazën e komplikuar të gjykimit të mbi 13 të pandehurve, mes të cilëve Nuredin Dumani, Erjon Alibej, Skerdi Tasi, e shumë të tjerë.

Doloreza Musabelliu, 44 vjeç, është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga Magjistratet e diplomuara shkëlqyeshëm dhe për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë prokurore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Sapo mori detyrën e prokurores, mes viteve 2006 deri në 2007, Doloreza Musabelliu, ka drejtuar një nga operacionet më të bujshme të kohës së Krimeve të Rënda, duke arrestuar në atë periudhë anëtarë të grupit të Emiljano Shullazit, Artan Shabanin, Selfo Drizën, Ermal Gogun, Erges Ymerin, Ervin Ferhatin dhe vetë Shullazin.

Emra këta që deri në atë kohë konsideroheshin të paprekshëm, por që falë hetimeve u dënuam me masa dënimi më shumë se 7 vjet burgim për  akuzë e trafikut të heroinës dhe mbajtje pa lejë të armëve.

Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen “Toyota Yaris” me miliona euro të konfiskuara dhe kaluara buxhetit të shtetit.

Së fundmi Musabelliu është prokurorja që sipas dëshmisë së Artan Tafanit është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për tu eleminuar, pasi shkak ka qenë hetimi i saj për masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.

Ky është rasti i parë në 6 vite të ekzistencës së SPAK që një grup Kriminal, angazhohet për të eleminuar një prokurore. Rasti i cili më pas, solli ndryshimin e rregjimit të sigurisë, ku SPAK dhe prokurorët veç efektivëve të repartit policor “RESI” u rrethuan nga efektivët e Gardës së Republikës.

-Klodian Braho

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Klodian Braho kandidati tjetër me origjinë nga Skrapari pas ardhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK, u emërua shef i seksionit kundër korrupsionit në këtë prokurori.

Braho, karrierën e nisi në prokurorinë e Beratit, më pas në Vlorë dhe mandej me vendim të kryeprokurorit të asaj kohe, Adriatik Llalla, Braho u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke qëndruar e punuar pranë seksionit kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Mirëpo “nderin” që ja bëri Llalla duke e transferuar nga Vlora në Tiranë, Braho, në SPAK ja shpërbleu me një përndjekje disa vjeçare, me një dënim të formës së prerë me dy vite burgim dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë.

Për shkak të kësaj përndjekje, ish-kryeprokurori Llalla mori rrugët e emigrimit në Itali, duke fituar tashmë dhe statusin e azilantit politik. Ndërsa Klodi, ka dërguar një letërporosi në Itali me qëllim ekstradimin e Llallës në Shqipëri.

Klodian Braho, është një nga prokurorët që së bashku me mikun e tij të vjetër, Aurel Zarka, kanë hetuar dhe gjykuar kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, dosje e cila çoi në rrëzimin nga “froni” i Gjikës.

Por dy miqtë e vjetër që dikur në prokurorinë e Vlorës konsideroheshin, si dy “yjet” në ngritje, sot po jetojnë dy botë të ndryshme nga njëri-tjetri.

Kjo pasi në 24 Korrik 2024, njëri nga miqtë Klodian Braho, firmosi për arrestimin e mikut tjetër, Aurel Zarka, teksa ky i fundit ishte në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës.

Dy shokët që dikur ndanin bashkë bankën e akuzës, dosjet i bënin bashkë, pretencën e bënin bashkë, kafet i ndanin bashkë, pushimet i bënin bashkë, prej korrikut 2024 u ndanë në dy botë të ndryshme.

Ku aktualisht, njëri Aurel Zarka ndodhet i izoluar në paraburgimin e Durrësit, ndërsa tjetri Klodian Braho, ka hedhur kandidaturën dhe shpreson fort për të qënë kreu i ardhshëm i prokurorisë së posaçme SPAK.

Ka shumë gjasa që mes sukseseve në CV-në e tij paraqitur anëtarëve të KLP-së, Klodian Braho, të ketë radhitur dhe këtë dosje penale si sukses ndaj goditjes së korrupsionit në Drejtësi.

-Elvin Gokaj

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Kandidati tjetër që synon të marë postin e drejtimit të SPAK është prokurori Elvin Gokaj. Ky kandidat ndryshe nga të tjerët, në thuajse gjithë karrierën e tij, ka shërbyer për vite me rradhë si drejtues të prokurorive në rrethet Fier, Elbasan, Kurbin, Prokurori Apeli Shkodër dhe Prokurori Apeli Durrës.

Pesë prokurori të drejtuara në vite të ndryshme dhe periudha tepër të vështira. Plus ka shërbyer dhe si zv/drejtues në prokurorinë e Sarandës. Një CV-i mjaft e përsosur për të treguar një eksperiencë lidershipi.

Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Vetingut (shkalla e parë), pezulloi një vit nga detyra prokurorin Elvin Gokaj, me kushtin e ndjekjes së trajnimit të detyrueshëm pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ky ishte vendimi i parë në zbatim të nenit Ë të Kushtetutës që parashikon masë disiplinore për kriterin e aftësive profesionale. Ndërkaq, Komisioneri Publik i kërkoi KPA shkarkimin e Gokajt nga detyra për një balancë negative prej 6 mijë eurosh.

Në nëntor të vitit 2020, Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi të rikthejë në detyrë prokurorin Elvin Gokajn, duke rrëzuar si Komisionerin Publik, ashtu edhe Komisionin e “Vetingut”.

Sipas KPA-së, Elvin Gokaj ishte i aftë profesionalisht, jo i korruptueshëm, pasuria e tij ishtë në përputhje me ligjin, ndërsa pastërtia e figurës së prokurorit nuk u vu asnjëherë në dyshim.

Në dhjetor të vitit 2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi Elvin Gokajn prokuror në SPAK.

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën si prokuror në Burrel, ku ka hetuar dhe kopsitur disa dosje të rënda dhe të rëndësishme të viteve 1997-1998, periudhë kjo kur Burreli, ziente nga seritë e vrasjeve për shkak të hasmërisë mes dy bandave farefisnore “Dedja” dhe “Kola”.

Në atë periudhë të përgjakshme, prokurorit Gokaj dhe gjithë prokurorëve që ushtronin detyrën në Burrel, i duhej të qëndronin në zyrë me automatikë kallashnikovi, pasi bandat në Burrel kishin marrë edhe komisariatin.

Edhe pse situata ka qënë në kufijtë e dramatikes për të bërë detyrën shtetërore, sot shumë dosje hetimore dhe dënimi i anëtarëve të këtyre bandave, mbajnë firmën e Elvin Gokajt dhe dy prokurorëve të tjerë që vepronin në atë periudhë në Burrel.

-Adnan Xholi

Kreu i ri i SPAK, sot afati i fundit i aplikimeve; 4 emrat në garë

Statura tjetër e kandidatit të katërt për të qënë kreu i SPAK, është pikërisht ajo e Adnand Xholit, aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të SPAK dhe shef i seksionit të krimit të organizuar.

Xholi, konsiderohet si një nga prokurorët që ka konsensusin e brendshëm të shumicës së prokurorëve të SPAK, për të qënë në krye të institucionit.

Kjo është gara e dytë që ai zhvillon në KLP për të marë postin e drejtuesit të SPAK, pasi në garën e parë ai rezultoi humbës përballë kandidaturës së Altin Dumanit që u mbështet fuqimisht nga qeveria dhe ambasadat e huaja.

Adnand Xholi, ka një CV të pasur në rol drejtuesi dhe organizativi të një institucioni, pasi ka drejtuar prokurorinë e Gjirokastrës, prokurorinë e Lezhës, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndërkohë mjaft dosje të rëndësishme tek Krimet e Rënda dhe në SPAK janë hetuar dhe gjykuar prej tij, si dosjet e vjetra që sollën identifikimin e vrasjes së policëve të shtetit në ngjarjet e rënda të “Qafë-Gjashtës”, Bandën e Cërrikut, vrasjen e Ibrahim Bashës në Lazarat, hetimin e Arben Tollisë së famshëm, hetimin e rastit të goditjes me plumba të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe shumë çështje të tjera deri tek e fundit e vëllezërve Ndreaj nga Burreli.

Dy dosje penale në SPAK që janë të vetmet e realizuara me metoda proaktive, dhe që flasin për trafik droge dhe ngritjen e laboratorëve të kokainës në Shqipëri, janë hetuar nga prokurori Adnand Xholi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.