E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot dita e 52-të e protestës:
Lajme

Sot dita e 52-të e protestës:

Nuk tërhiqemi pa u plotësuar pesë kërkesat

Vijon protesta e 51-të qytetare kundër qeverisë, ndërsa protestuesit janë mbledhur sërish në Tiranë duke deklaruar se rezistenca do të vazhdojë deri në ndryshimin e situatës politike në vend dhe plotësimin e pesë kërkesave që kanë vendosur në qendër të lëvizjes së tyre.

Një ditë më parë, në protestën e 50-të, qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Më pas marshimi vijoi në rrugët e kryeqytetit, me sloganet “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Poshtë patronazhistët”, “Parlament analfabet”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Dorëheqje”, “Rama ik, Berisha ik”.

Sot, sipas njoftimit të organizatorëve, protestuesit u mblodhën në orën 12:00 edhe para godinës së Kuvendit. Ata mbanin vezë ku ishin shkruar emrat e disa deputetëve dhe një pjesë e tyre u hodhën në drejtim të automjeteve të ligjvënësve, në një akt simbolik proteste ndaj përfaqësuesve të Parlamentit.

Përreth Kuvendit u vendosën masa të shtuara sigurie. Zona u rrethua me gardhe metalike, ndërsa forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u angazhuan për mbarëvajtjen e protestës dhe parandalimin e incidenteve.

Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen pa u realizuar kërkesat e tyre.

Lëvizja qytetare nisi si reagim ndaj projektit të investimit prej 4 miliardë eurosh në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e javëve është shndërruar në një platformë më të gjerë politike dhe ligjore.

Pesë kërkesat kryesore të protestuesve janë:

  • Dorëheqja e qeverisë.
  • Shfuqizimi i ligjit për statusin e investitorëve strategjikë.
  • Shfuqizimi i “Paketës së Maleve”.
  • Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
  • Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Sipas organizatorëve, mobilizimi qytetar do të vijojë deri në plotësimin e këtyre kërkesave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.