Sot protesta në Tiranë për ish-krerët e UÇK që mbahen në Hagë
Sot në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, pritet të mbahet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuzat e Gjykatës Speciale në Hagë.
Tubimi është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe mbështetet nga shoqata të ish-luftëtarëve, qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Përplasja në distancë: Kurti akuzon, Rama përgjigjet
Në prag të protestës, një përplasje në distancë ka ndodhur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.
Lëvizja Vetëvendosje publikoi një qëndrim ku thekson se qëndron në krah të atyre që protestojnë për drejtësi, por nënvizon se “ata që sot dalin kundër Gjykatës Speciale, janë të njëjtët që dje e mbështetën themelimin e saj.”
Në postimin zyrtar të Vetëvendosjes, Kurti përmendi veçanërisht Edi Ramën, duke thënë se “ka ardhur me helikopter në Kosovë për të bindur partitë që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale”. Ai shtoi se Rama duhet të tregojë pendesë për këtë qëndrim të mëparshëm.
Por nuk mungoi reagimi i Ramës. Kryeministri shqiptar tha se Gjykata u ngrit për të hetuar pretendimet për trafik organesh, duke nënvizuar se ai ka qenë kritik ndaj mënyrës si po trajtohen Thaçi dhe ish-krerët e UÇK-së.
“E kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit kudo dhe kurdo që është dashur”, shkroi Rama. Ai gjithashtu iu kthye Vetëvendosjes me tone të ashpra, duke kujtuar se “atëherë nuk njihnin as himnin e Kosovës, jo më pafajësinë e Thaçit, të cilin do ta donin përjetësisht në Hagë.”
Kush do të marrë pjesë në protestë?
Në protestë pritet të marrin pjesë shoqata të veteranëve, qytetarë dhe mbështetës të UÇK-së nga të gjitha trojet shqiptare.
Nga spektri politik:
-
Partia Socialiste ka konfirmuar pjesëmarrjen;
-
Partia Demokratike, sipas Sali Berishës, nuk do të marrë pjesë, pasi kjo është një vendimmarrje politike;
-
Berisha shtoi gjithashtu se Rama fillimisht kishte përgatitur një fjalim për protestën, por më pas, “është detyruar të mos marrë pjesë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



