SPAK blen paisjen e teknologjisë së lartë të përgjimit ‘IMSI Catcher’
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka siguruar një nga pajisjet më të sofistikuara të përgjimit që përdoret nga agjencitë ligjzbatuese në botë. Bëhet fjalë për aparaturën “IMSI Catcher”, e cila tashmë ndodhet në ambientet e SPAK dhe pritet të përdoret në operacionet hetimore kundër krimit të organizuar.
Sipas informacioneve të publikuara nga gazetari Elton Qyno, pajisja është blerë përmes një kontrate që arrin afro 1 milion euro dhe prej disa muajsh një skuadër e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është duke u trajnuar nga ekspertë të specializuar për përdorimin e saj në terren.
Vetë SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se kjo pajisje është prokuruar gjatë vitit 2025, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me kompaninë kontraktuese apo vlerën e saktë të kontratës.
“IMSI Catcher” është një teknologji shumëfunksionale që mundëson përgjimin, lokalizimin dhe mbledhjen e të dhënave nga telefonat celularë dhe komunikimet telefonike. Pajisja, e prodhuar në Izrael, përdoret gjerësisht nga agjencitë e sigurisë për hetimin e aktiviteteve kriminale.
Blerja e kësaj pajisjeje është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh për forcimin e kapaciteteve teknike dhe operative të SPAK. Në nivel strategjik janë miratuar dy projekte madhore: prokurimi i pajisjes “IMSI Catcher” dhe modernizimi i sistemit të përgjimit, përfshirë përditësimin e tij në versionet më të fundit, rritjen e kapaciteteve të ruajtjes së të dhënave dhe shtimin e modulit për interceptimin e të dhënave IP.
Këto projekte, me vlerë totale rreth 5.1 milionë euro, janë miratuar me vendimin nr.188 të datës 9 qershor 2025 nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar.
Procedura për blerjen e pajisjes është zhvilluar përmes një tenderi sekret, me argumentin se bëhet fjalë për pajisje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në Shqipëri, pajisje të tilla janë përdorur edhe më herët nga institucionet e sigurisë. Fillimisht një sistem i ngjashëm është përdorur nga Shërbimi Informativ Ushtarak në kohën kur Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Arben Imami. Më pas pajisje të kësaj natyre janë përdorur edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit, kryesisht në operacione për lokalizimin e personave në kërkim dhe hetime të ndryshme kriminale.
Në rastin e Policisë së Shtetit, përdorimi i “IMSI Catcher” kryhet vetëm me autorizim të prokurorit ose me vendim gjykate. Një pajisje e tillë u përdor edhe më 13 dhjetor 2023 në një operacion për gjetjen e telefonave të gazetarit Elton Qyno, një rast që më vonë u konsiderua si shkelje e rëndë dhe veprim antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Me blerjen e kësaj teknologjie, SPAK synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet e tij logjistike në fushën e përgjimeve dhe njëkohësisht të fitojë më shumë pavarësi operacionale nga Policia e Shtetit, duke realizuar veprimet hetimore përmes oficerëve të BKH.
Paralelisht, projekti prej 5.1 milionë eurosh ka sjellë edhe modernizimin e qendrës së përgjimit të SPAK, e cila menaxhohet nga kompania “TBS 96” e Artan Xhorit.
Në kuadër të përmirësimit të hetimeve digjitale, SPAK ka investuar gjithashtu në teknologji të reja për analizimin e të dhënave elektronike dhe financiare, si dhe në pajisje për ekstraktimin dhe analizimin e informacionit nga pajisjet e sekuestruara.
Për këtë qëllim, institucioni bashkëpunon me kompani ndërkombëtare si “Cellebrite DI Ltd” me bazë në Izrael dhe “INsig2 d.o.o” me bazë në Zagreb. Të dyja kompanitë ofrojnë programe dhe licenca për ekspertizën e telefonave celularë dhe pajisjeve kompjuterike të sekuestruara, shërbime për të cilat SPAK paguan rreth 180 mijë euro.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



