SPAK godet AKSHI-n/ Arrest drejtoreshës, pranga biznesmenëve
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arreste për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Kërçanaj, si dhe për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Mirlinda Kërçanaj, ndërsa për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn është vendosur masa “arrest me burg”.
Hetimi ndaj drejtoreshës së AKSHI-t lidhet me 12 procedura tenderuese, të cilat dyshohet se janë zhvilluar në shkelje të ligjit. Procedurat në fjalë kanë të bëjnë me kontrata me vlera të konsiderueshme financiare, kryesisht për mirëmbajtjen e serverëve dhe sistemeve informatike të institucioneve shtetërore me rëndësi.
Sipas hetimeve, kriteret e tenderave dyshohet se janë hartuar në mënyrë të paracaktuar, duke favorizuar kompani të caktuara pjesëmarrëse në gara. Në këtë mënyrë, subjektet përfituese kanë arritur të fitojnë kontrata me vlera miliona euro.
Në kuadër të këtij hetimi, biznesmeni Ermal Beqiraj, përmes kompanisë së tij “Soft & Solution”, është marrë më herët në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Hetuesit kanë zhvilluar gjithashtu marrjen në pyetje të rreth 25 zyrtarëve të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
AKSHI ndodhet prej kohësh në qendër të dyshimeve për procedura prokurimi të dyshuara si korruptive. Më herët, një ish-zyrtar i këtij institucioni, Daniel Shima, u raportua i zhdukur për disa orë, menjëherë pas dhënies së dëshmisë në Prokurorinë e Posaçme lidhur me këto çështje, ndërsa familjarët e tij kishin bërë denoncim në polici.
Një nga procedurat e përfolura lidhet me një prokurim për përmirësimin e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, me fond limit rreth 3.8 milionë euro, i cili fillimisht u anulua me arsyetimin se nuk kishte oferta të përshtatshme. Më pas, në një procedurë tjetër, fituese u shpall kompania “Soft & Solution”, me ofertë rreth 3.1 milionë euro, ndërsa dy kompani të tjera u skualifikuan.
Hetimet nga Prokuroria e Posaçme vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të abuzimeve me tenderat publikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



