SPAK kërkon arrestimin, Berisha: Rama ‘mbrohet’ pas fustanit të Lubisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po e mbron atë për interesa personale.
Berisha shprehet se Rama do të vazhdojë ta mbrojë “numrin dy të qeverisë” me çdo kusht, duke e cilësuar këtë si një akt vetëmbrojtjeje politike dhe financiare.
“Jetën e japim, Lubinë nuk e japim”, shkruan Berisha, duke ironizuar qëndrimin e kryeministrit dhe duke shtuar se Rama do të përdorë “fustanin e Lubisë si mburojë” për t’u fshehur përballë drejtësisë.
Sipas Berishës, reagimi i Ramës ndaj kërkesës së Prokurorisë tregon qartë se ai është i vendosur ta mbrojë Ballukun, pasi, siç pretendon kreu i PD-së, të dy ndajnë interesa të përbashkëta financiare.
“50 milionë euro i kanë ndarë bashkë”, akuzon Berisha, pa dhënë detaje konkrete, por duke e paraqitur çështjen si një aferë të rëndë që, sipas tij, shpjegon mbrojtjen politike të Ramës.
Në fund të reagimit, Berisha u bën thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së thirrur nga opozita më 22 dhjetor, duke theksuar se “fjala përfundimtare do të vijë nga populli”.
Deklarata e Berishës vjen në një moment tensioni të lartë politik, ndërsa zhvillimet rreth hetimeve të SPAK pritet të përshkallëzojnë më tej përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



