Prokurori Behar Dibra i kërkon më ngulm burimin e informacionit gazetarit Elton Qyno , SPAK kontroll edhe në banesën e gazetarit
Prej orës 10:00, SPAK kërkon nga gazetari Elton Qyno të nxjerrë burimin e informacionit lidhur me disa publikime të dosjeve me interes të lartë, duke e mbajtur peng.
Deri tani sipas burimeve për mediat, gazetari Elton Qyno i qëndron parimit, ‘burimi nuk tregohet’.
Por ajo që po ndodh i kalon kufijtë e një shteti demokratik ligjor, pasi SPAK në këto momente po ushtron kontroll në banesën e tij, në sy të fëmijëve.
Nga pamjet e publikuara në media dallohet se poshtë banesës së gazetarit Qyno është edhe makina e BKH.
Elton Qyno, një nga gazetarët e njohur, reporter i kronikës, është marrë në pyetje me shtrëngim nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe i është kërkuar me ngulm, të rrëfejë burimin e informacionit.
Në një raportim, gazetari mban përgjegjësi vetëm për vertetësinë e lajmit, por kur bëhet fjalë për një zhvillimin sensitiv, ai e mbron burimin, sidomos kur ai është i zbuluar nga shantazhe, sulme apo kërcënime. Gjëra që edhe kanë ndodhur në Shqipëri.
Qyno ka folur mbi dosjen e Nuredin Dumanit, duke dhënë ato informacione që janë bërë publike edhe nga mediat e tjera. Por pas kësaj, agjentët e BKH-së dhe prokurori Behar Dibra i kanë kërkuar Elton Qynos që të bëjë të ditur se kush është burimi i informacionit në fjalë.

Një reporter, jo vetëm nuk ka detyrim të bëjë publik burimin e tij, por ka të drejtën për ta mbrojtur atë. Madje ekzistojnë ligje, vendime gjykatash të vendeve të BE-së por edhe të Gjykatës Supreme të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që mbrojnë të drejtën e gazetarit për të ruajtur burimin e tij.
Tentativa për të nxjerrë burimin me anë të presionit apo forcës së ligjit, nuk është gjë tjetër veçse një tejkalim ligjor, e mbi të gjitha një cënim i rëndë i standardeve të lirisë dhe hapësirës mediatike.
Elton Qyno po mbahet në ndalim nga SPAK, kur realisht nuk ka kryer asnjë vepër penale, por thjesht ka bërë atë që bën çdo gazetar i lirë në botë. Mbron dhe nuk shet burimin e informacionit, i cili është bazë dhe pjesë e së drejtës antike.
Ku është reagimi organizatave të gazetarëve ? Kolegu Elton Qyno duhet liruar menjëherë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



