SPAK nis verifikimet për pronat në Orikum, Dukat dhe Rradhimë
Një hetim që fillimisht u regjistrua nga Prokuroria e Vlorës për dyshime mbi falsifikimin e dokumenteve dhe tjetërsimin e pronave në zonat e Rradhimës, Dukatit dhe Orikumit, tashmë i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën për vijimin e çështjes dhe, në vijim të procedurave ligjore, ia ka transferuar të gjithë dosjen SPAK-ut. Ky i fundit, duke u mbështetur në kallëzimet penale të depozituara nga banorët e zonave të prekura, ka regjistruar zyrtarisht procedimin penal dhe ka nisur veprimet konkrete hetimore. Paralelisht, SPAK ka kërkuar edhe administrimin e plotë të akteve të hetimit paraprak që janë kryer më herët nga Prokuroria e Vlorës.
Në kuadër të këtij hetimi, bazuar në materialet e grumbulluara deri më tani, SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës ka ushtruar kontrolle në disa banesa në qytetin e Vlorës, si dhe në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ish-Hipoteka).
Dyshimet kryesore të hetimit lidhen me tjetërsimin e paligjshëm të sipërfaqeve të konsiderueshme të tokës bujqësore në zonat e Orikumit, Dukatit dhe Rradhimës. Sipas indicieve, këto prona janë regjistruar në mënyrë të jashtëligjshme përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, duke përjashtuar nga e drejta e pronësisë banorët që e kishin përfituar tokën në bazë të ligjit nr. 7501 “Për Tokën”.
Sipas kallëzuesve, në këtë skemë të dyshuar abuzimi rezulton të jenë përfshirë persona me ndikim ekonomik, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me individë vendas për realizimin e tjetërsimit të pronave.
Kallëzimet penale janë depozituar nga një grup banorësh të Kuvendit të Orikumit, Rradhimës dhe Dukatit, si në Prokurorinë e Vlorës, ashtu edhe në SPAK. Në përmbajtjen e tyre ngrihen dyshime për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, të kryera në kuadër të një “Grupi të strukturuar kriminal”.
Hetimet pritet të fokusohen në verifikimin e plotë të dokumentacionit të pronësisë, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë çështje, si dhe në vlerësimin e ligjshmërisë së regjistrimeve të kryera për këto prona në zonat bregdetare, të cilat konsiderohen me vlerë të lartë ekonomike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



