SPAK, Rama dhe Balluku, reagon PD: Shqipëria s’e kaloi testin që kërkon BE!
“Shtet i marrë peng nga korrupsioni, fjala tani u mbetet qytetarëve”
Reagimi i parë i opozitës ka ardhur menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste këtë të hënë, më 9 mars. Kreu i qeverisë bëri të ditur se shumica socialiste nuk do të mbështesë kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim për shpërdorim detyre.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, reagoi ashpër duke e akuzuar kryeministrin se po përdor shumicën parlamentare për të mbrojtur një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërta dhe për të penguar veprimtarinë e drejtësisë.
Sipas Këlliçit, vendimi për të ruajtur imunitetin e Ballukut përmes votave në Kuvend është një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sinjal i rrezikshëm për luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
Ai theksoi se duke zgjedhur të mbrojë bashkëpunëtoren e tij, kryeministri jo vetëm sfidon drejtësinë, por dëmton edhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke rritur njëkohësisht tensionin politik në vend.
Sipas deputetit demokrat, vendimi është marrë për të mbrojtur interesat personale të kreut të qeverisë dhe jo interesin publik. Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 12 mars të mblidhen para Kuvendit, në ditën kur pritet të diskutohet çështja e imunitetit.
Këlliçi deklaroi se ky moment përbën një provë të rëndësishme për vendin, duke theksuar se Shqipëria nuk arriti të kalojë atë që ai e cilësoi si një “test kritik” përballë standardeve europiane.
Reagime të forta pati edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai akuzoi shumicën socialiste se po përdor Kuvendin si një mburojë politike për të bllokuar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
Bardhi deklaroi se vendimi për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Ballukut konfirmon, sipas tij, se kryeministri është i kapur nga sistemi i korrupsionit që vetë ka ndërtuar ndër vite. Në një reagim të ashpër politik, ai ironizoi shumicën duke e quajtur atë “Gjykata Supreme e Republikës – PS”.
Sipas Bardhit, prokuroria ka paraqitur prova që lidhen me një seri tenderash me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, si edhe indicie për presione ndaj dëshmitarëve. Ai shtoi se në çdo demokraci funksionale Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë për të hetuar pa pengesa.
Deputeti demokrat paralajmëroi se situata nuk është më vetëm një debat i brendshëm politik, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Sipas tij, kur drejtësia pengohet për të mbrojtur pushtetin politik, atëherë në rrezik vihet edhe procesi i integrimit europian.
Në fund të reagimit, Bardhi theksoi se nëse institucionet nuk veprojnë, fjala përfundimtare i mbetet qytetarëve. Ai përsëriti thirrjen që më 12 mars qytetarët të mblidhen para Parlamentit për të protestuar kundër vendimit të shumicës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



