SPAK thërret nipin e Sadri Abazit për kërcënimin ndaj Irfan Hysenbelliut
Pronari i kompanisë Alko Impex, Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi, është thirrur nga SPAK dhe pritet të paraqitet më 2 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme. Fletëthirrja është firmosur nga prokurori Dritan Prençi dhe Abazi do të merret në pyetje si person që mund të ketë informacion mbi një procedim penal të rëndësishëm.
Procedimi në fjalë, me numër 72/2025, është hapur pas kallëzimit të avokatëve të biznesmenit dhe botuesit të mediave News24 dhe Panorama Grup, Irfan Hysenbelliu. Ky i fundit ka raportuar për një kërcënim serioz ndaj tij dhe familjes gjatë verës. Mësohet se kërcënimi u bë nga një individ i njohur për përfshirjen në çështje të dyshuara korruptive, që kanë qenë shpesh objekt investigimesh. Më tej, Hysenbelliu ka sugjeruar se personi në fjalë ka lidhje me nivele të larta qeveritare.
Megjithëse Abazi nuk është i lidhur drejtpërdrejt me kërcënimin, ai konsiderohet një figurë kyçe që mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave dhe komunikimeve për këtë rast, për shkak të rrjetit të tij të gjerë lidhjesh në sektorin publik.
Një “kampion” i tenderave publikë
Abazi dhe kompanitë e tij, Alko Impex Construction dhe Alko Impex General Construction, janë prej vitesh ndër përfituesit kryesorë të fondeve publike në vend. Vetëm në pesë vitet e fundit, këto kompani kanë përfituar mbi 90 milionë euro, kryesisht nga tendera për shërbime pastrimi në bashki të ndryshme, duke dominuar thuajse monopolistisht këtë sektor. Opozita ka ngritur vazhdimisht dyshime se sukseset e kompanive lidhen me lidhjet familjare të Abazit me ministren Belinda Balluku.
Thirrja vjen pas hetimit ndaj Ballukut dhe Klosit
Fleta e SPAK-ut për Abazin është lëshuar vetëm një ditë pas konfirmimit të nisjes së një hetimi të ri penal ndaj ministres Balluku dhe deputetit socialist Ceno Klosi, dy figura të rëndësishme në qeveri. Pritet që dëshmia e Abazit të ketë ndikim të madh, pasi ai ndodhet në kryqëzimin mes biznesit publik, lidhjeve qeveritare dhe një çështjeje penale që prek një nga grupet më të mëdha mediatike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



