SPAK thërret sërish Igli Taren, dëshmia e tij kyçe për hetimet ndaj Ballukut
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka firmosur një fletëthirrje të dytë për ish-futbollistin e kombëtares shqiptare, Igli Tare, duke i kërkuar të paraqitet për të dëshmuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se dëshmia e Tares konsiderohet me rëndësi të veçantë për hetimet, të cilat fokusohen kryesisht në verifikimin e pasurisë së Ballukut dhe në transaksione të mundshme që mund të lidhen me persona apo kompani nën hetim. Fletëthirrja e parë ndaj tij nuk u ekzekutua, pasi Tare jeton jashtë Shqipërisë dhe nuk kishte marrë dijeni zyrtare për kërkesën e prokurorëve.
Thirrja e dytë vjen pas një serie kontrollesh të zhvilluara nga hetuesit e SPAK në banesa të familjarëve të Belinda Ballukut, si edhe në ambiente të lidhura me biznesmenë të ndryshëm. Në fokus të kontrolleve kanë qenë edhe dy vila në zonën rezidenciale të Drimadhes, ku dyshohet se po verifikohen investime dhe pasuri të lidhura me persona të përfshirë në hetim.
Sipas burimeve hetimore, kësaj here SPAK ka marrë masa që Igli Tare të njoftohet zyrtarisht në adresën e tij jashtë vendit, me qëllim sigurimin e paraqitjes së tij për dëshmi.
Ndërkohë, Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për dyshime mbi abuzime me tendera publikë, ku përfshihen projekte të rëndësishme si tuneli i Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe në Tiranë. Në javët e fundit, hetimet janë intensifikuar veçanërisht në drejtim të pasurisë dhe lidhjeve financiare të saj.
Aktualisht ndaj Ballukut janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi për të dalë jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike. Ish-ministrja i ka kundërshtuar këto masa përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



