Spiunë, dronë dhe mjete prerëse, si u kap Nicolas Maduro
Për muaj me radhë, shërbimet amerikane të inteligjencës kishin ndjekur në detaje çdo hap të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro. Sipas burimeve të larta ushtarake, mbikëqyrja kishte arritur në nivele ekstreme: nga vendet ku flinte dhe ushqehej, te rutina e përditshme dhe rrethi i ngushtë i sigurisë, përfshirë edhe ambientet më të mbrojtura të tij.
Në fillim të dhjetorit, pas një procesi të gjatë planifikimi dhe stërvitjeje intensive, u dha drita jeshile për një operacion sekret të koduar “Vendosmëria Absolute”. Një njësi elitare amerikane kishte ndërtuar më parë një kopje identike të kompleksit ku strehohej Maduro në Karakas, për të simuluar me saktësi çdo skenar të mundshëm ndërhyrjeje.
Operacioni, i konsideruar si një nga ndërhyrjet më të mëdha ushtarake amerikane në Amerikën Latine që nga periudha e Luftës së Ftohtë, u mbajt nën fshehtësi të plotë. Kongresi nuk u informua paraprakisht, ndërsa vendimi përfundimtar u mor vetëm kur kushtet meteorologjike dhe taktike u konsideruan ideale.
Urdhri për nisjen e misionit erdhi vonë në mbrëmje nga presidenti Donald Trump, pak para mesnatës sipas orës lokale në Karakas. Forcat amerikane shfrytëzuan errësirën e natës për të vepruar njëkohësisht nga ajri, toka dhe deti, në një operacion që zgjati mbi dy orë.
Më shumë se 150 mjete ajrore, përfshirë avionë luftarakë, bombardues dhe mjete zbulimi, u angazhuan në aksion. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në disa zona të kryeqytetit venezuelian, ndërsa banorët raportuan ndërprerje totale të energjisë elektrike dhe prani intensive të helikopterëve mbi qytet.
Sipas dëshmitarëve okularë, Karakasi u zhyt në errësirë dhe panik. Video të shumta që qarkulluan në rrjetet sociale treguan tym, flakë dhe lëvizje të shpeshta të avionëve ushtarakë mbi zona strategjike, përfshirë baza ajrore dhe portin kryesor të qytetit.
Ndërkohë, njësi speciale amerikane, përfshirë forca elitare të misioneve speciale, depërtuan në kompleksin e fortifikuar ku ndodhej Maduro. Aty pati përplasje të armatosura, ndërsa një helikopter amerikan u godit, por arriti të largohej pa u rrëzuar.
Presidenti venezuelian tentoi të strehohej në një dhomë të sigurt, por u neutralizua përpara se të mbyllej brenda. Ai u arrestua së bashku me bashkëshorten e tij dhe u nxor nga territori venezuelian nën masa të rrepta sigurie.
Pak orë më vonë, helikopterët amerikanë u nisën drejt Nju Jorkut, ku Maduro u dorëzua autoriteteve federale dhe pritet të përballet me akuza penale në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump konfirmoi publikisht operacionin në orët e para të mëngjesit, duke deklaruar se “drejtësia amerikane do të veprojë pa kompromis”.
Operacioni ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, me disa liderë botërorë që e cilësuan atë si një precedent të rrezikshëm, ndërsa të tjerë e përshëndetën si një goditje vendimtare ndaj asaj që SHBA e konsideron regjim kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



