“S’qiten gjo cunat e KESH”, dalin bisedat e Vis Berberit me Benet Becin
Komunikime, materiale paraprake dhe tenderi 700 mijë euro
Dosja hetimore që lidhet me një procedurë prokurimi në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nxjerr në pah një zinxhir komunikimesh të zhvilluara rreth dy muaj përpara shpalljes së një tenderi me vlerë afro 700 mijë euro, duke ngritur dyshime serioze se gara është paracaktuar që në fazën paraprake.
Në qendër të këtyre komunikimeve rezultojnë disa emra kyç të sektorit energjetik: Benet Beci, në atë kohë Administrator i KESH, Ervis Berberi, drejtor i Agjencisë së Energjisë dhe Eficencës, si dhe Adela Ruko dhe Dritan Dakoli.
Sipas të dhënave të administruara në dosje, komunikimi i parë i dokumentuar mban datën 29.10.2019, në orën 18:47:59. Në këtë moment, shtetasi Evis Berberi i ka dërguar shtetasit Benet Beci, me detyrë Administrator i KESH, një SMS me tekstin:
“Përshëndetje Visi, jam nesër kur mund të takohemi”.
Të nesërmen, rezulton se Benet Beci ka kontaktuar Evis Berberin përmes aplikacionit “WhatsApp”.
Pas këtij komunikimi, Evis Berberi ka vijuar bisedat me Dritan Dakolin. Në një mesazh të dërguar pak më vonë, Dakoli i drejtohet Benet Becit me tekstin:
“U nisa për 10 min besoj se jam aty”.
Këto komunikime ngrenë dyshime se mes Becit, Dakolit dhe Berberit është zhvilluar një takim, ku tema e diskutimit ka qenë pikërisht procedura e prokurimit në fjalë. Kjo hipotezë përforcohet edhe më tej nga zhvillimet e ditëve në vijim.
Më 31 tetor, Dritan Dakoli i ka dërguar Evis Berberit një material në format “Word” me emërtimin “Kërkesat për kualifikim CMA – masterplan KESH”.
I njëjti material, vetëm një ditë më pas, më 01.11.2019, i është përcjellë nga Evis Berberi shtetasit Benet Beci.
Në përmbajtje të këtij dokumenti gjendet drafti i kritereve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta të kualifikimit, kritere që më pas janë përdorur zyrtarisht në procedurën e prokurimit me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.
Menjëherë pasi ia ka përcjellë këto materiale, Evis Berberi i ka dërguar Benet Becit edhe një mesazh me tekstin:
“Kërkesat janë paraprake. Se pret ca detaje nga Harvard”.
Benet Beci i është përgjigjur me dy SMS. Njëri prej tyre rezulton i fshirë dhe përmbajtja nuk evidentohet, ndërsa mesazhi tjetër ka tekstin:
“Ok flm Visi”.
Komunikimet vijojnë edhe në datën 07.11.2019, kur Dritan Dakoli i dërgon Evis Berberit një tjetër material, të titulluar “Electricity Workstream Deliverables 2019-2020”, duke e shoqëruar me mesazhin:
“Harvardi për KESH. Më thanë, hidhi një sy. I thashë, këtë e kanë bërë profesorët, çfarë mund të themi ne të shkretët me dy klas shkollë?”.
Evis Berberi i përgjigjet me SMS:
“Hahaha, kush ta çoi”.
Në vijim, Dritan Dakoli i shkruan sërish:
“Ai cuni Harvardit. Me atë që flasim”.
Ndaj këtij mesazhi, Evis Berberi kthen përgjigjen:
“Ok super, po ja nis”.
Në një tjetër komunikim të datës 18.11.2019, Dritan Dakoli i dërgon Evis Berberit mesazhin:
“Sqiten gjo cunat e KESH”,
ndërsa përgjigjja e Berberit është:
“Të them unë, po e bëjnë gati”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



