Strategjia e drejtësisë/ Ndryshime për avokatët, noterët, ndërmjetësit dhe përmbaruesit
Profesionet e lira, të lidhura drejtpërdrejt me fushën e drejtësisë, duket se do t’i nënshtrohen ndryshimeve të rëndësishme në vijim duke nisur që nga ndërhyrjet ligjore në funksion të përmirësimit të punës e deri tek trajnimet apo eliminimi i ngërçeve të hasura ndër vite.

Lidhur me avokatët plani i ri i veprimit parashikon rritjen dhe forcimin profesional të këtij grupi profesionistësh në mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve nëpërmjet konsolidimit të programeve trajnuese të ofruara nga Shkolla e Avokatisë. Vit pas viti parashikohet organizmi i trajnimeve ku vetëm për vitin 2019 organizimi i 6 raundeve të para trajnuese.
Lidhur me noterët plani parashikon ngritjen e Qendrës së Trajnimeve për noterët në Republikën e Shqipërisë. Ky program synon rritjen e performances së noterëve dhe kualifikimi profesional i tyre. Sigurisht përveç trajnimeve plani parashikon edhe një vlerësim të tyre nga ana e institucioneve monitoruese kapacitetet e të cilëve parashikohen që të forcohen ndërkohë që infrastruktura përmes sistemeve IT do të përmirësohet. Plani parashikon krijimin dhe funksionimin e sistemit elektronik N.I.S.A., që siguron lidhje online në kohë reale të veprimtarisë së noterit me shërbimet publike. Funksionimi i plotë I tij pritet të bëhet ne vitin 2020 ndërkohe që fazë testimi do të jetë viti I ardhshëm.
Një tjetër profesion në fokus është ai i ndërmjetësve dhe që plani 2018-2021 parashikon ngritjen e dhomave vendore dhe ofrimi i shërbimit të ndërmjetësimit. Hapja e dhomave pritet të bëhet pas procesit të organizmit dhe trajnimit në vitin 2020.
Të katërtit ndër profesione e lira të lidhura me drejtësinë janë përmbaruesit privatë. Plani parashikon finalizimin e ndryshimeve në kuadrin ligjor në fuqi, që lidhen me organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Për këtë profesion viti 2019 do të jetë vendimtar duke qenë se parashikohen një sërë objektivash si : Adresimin e problematikave të ndeshura për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, të evidentuara nga Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Gjyqësor Privat dhe Ministria e Drejtësisë gjatë trajtimit të ankesave, rregullimin e funksionimit të shoqërive përmbarimore, përcaktimit të detyrave të qarta të përmbaruesve gjyqësorë privatë, për kryerjen e aktiviteteve që lidhen me natyrën e profesionit të tyre ligjor dhe rregullimit të mbledhjes me mirëkuptim të detyrimeve.
Ministria e Drejtësisë nënvizon se masat e reja të Planit të Veprimit, 2018-2021, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë synojnë të intensifikojnë organizimin dhe funksionimin e organeve të reja në drejtësi, si KLGJ, KLP, ILD e KED, të thellojnë formimin tekniko-profesional të sistemit të drejtësisë nëpërmjet kualifikimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve e administratës gjyqësore apo dhe rritjen e aksesit në sistemin e drejtësisë nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të Ndihmës Juridike Falas.
Profesionet e lira ligjore janë bërë pjesë e Planit të Veprimit, 2018-2021, me masa të parashikuara për tu përmbushur dhe që vijnë si produkt i ndryshimeve ligjore që ligjet e tyre pësuan në kuadër të Reformës në Drejtësi, gjithashtu.
Plani i Veprimit, 2018- 2021, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, konsiston në: 8 objektiva strategjikë; 11 indikatorë nga Pasaporta e Indikatorëve; 7 indikatorë transhi të Bashkimit Evropian dhe 65 masa.Monitor
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



